Regjistrimi, vetëdeklarim për etninë
ADI SHKEMBIQeveria bën gati pyetësorin për regji-strimin e popullsisë vitin e ardhshëm. Kryetari i Komisionit Qendror për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, Genc Pollo tha në një prononcim për mediat se e reja e këtij pyetësori është fakti që qytetarët do të pyeten edhe për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Këto duket se janë edhe dy pikat që pritet të ngjallin debate në opinionin publik, lidhur me regjistrimin e popullsisë. Sipas Ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet "sot do të miratohet në parim nga Komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht. Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban, për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare. Ky proces do të kryhet në mënyrë shumë profesionale, nga INSTAT dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara". Në të njëjtën kohë, sipas ministrit Pollo, plotësimi i këtij pyetësori do të ndihmojë edhe në skicimin e një panorame të plotë mbi zhvillimet ekonomike në vend. "Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm, që qeveria do të ndërmarrë në vitin 2011, është një aktivitet që i shërben mirëqeverisjes, zhvillimit institucional të saj, jep një panoramë të plotë zhvillimeve sociale dhe ekonomike në vend dhe që do të shërbejë për një bazë të mirë për të ndërtuar politika të drejta, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen me efektivitet", theksoi më tej Pollo. Ai theksoi se çdo e dhënë që do të deklarohet në pyetësor do të ruhet. Njëkohësisht Ministri i Shtetit shtoi se në pyetjet për përkatësinë fetare dhe etnike, qytetarët kanë një alternativë që të mos përgjigjen. Projekti, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm do të ketë një vlerë prej 15 milionë eurosh, nga të cilat 5 milionë do të përballohen nga Qeveria shqiptare, 8 milionë nga IPA, 1 milion euro nga UNFPA dhe pjesa tjetër nga UNDP dhe Statistikat Suedeze. Regjistrimi i fundit i popullsisë u bë në vitin 2001. "Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë është të japë një panorame aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Por, në rastin e Shqipërisë, regjistrimi duhet të jetë gjithashtu edhe një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve. Regjistrimi i Popullsisë do të jetë një investim i rëndësishëm afat-gjatë në të gjithë sistemin statistikor të vendit për sa i përket kapacitetit dhe ndërtimit institucional", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrit të Shtetit, Genc Pollo. Gjithashtu bëhet e ditur se projekti i regjistrimit ka për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në formën e të dhënave elektronike individuale, të cilat janë thelbësore për ndërtimin institucional, zhvillimin demokratik dhe qeverisje të mirë të Shqipërisë.