E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj:Tekste të veçanta shqip për emigrantët

 Tekste të veçanta në shqip për fëmijët e emigrantëve në Angli. Këtë premtim bëri Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Londër, të përbërë nga 14 shoqata. Gjithçka pas pjesëmarrjes në Forumin Botëror "Të mësuarit dhe Teknologjia", që u zhvillua në Londër, me pjesëmarrjen e 75 vendeve të botës dhe Ministrave të Arsimit. Pasi u njoh me situatën e mësimdhënies dhe mësimnxënies të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Angli, Ministri i Arsimit dhe Shkencës premtoi përgatitjen e teksteve të veçanta për nxënësit shqiptarë atje. "Do të hartojmë me një grup ekspertësh, si dhe me angazhimin e mësuesve emigrantë, një tekst të veçantë dhe të mirëfilltë të librave të Abetares dhe Historisë së Shqipërisë, për të qënë sa më tërheqës për fëmijët që jetojnë dhe mësojnë jashtë Shqipërisë", - tha Tafaj. Duke e vlerësuar si një nga pikat kryesore të axhendës së Kryeministrit Berisha, për t'i ardhur në ndihmë komuniteteve shqiptare kudo që ndodhen, Tafaj, theksoi se, ky tekst do të jetë i hartuar në nivele bashkëkohore dhe në bazë të teknologjisë së informacionit. Ministri Tafaj shpjegoi se shumë shpejt do të shpallet konkurs për të përzgjedhur autorët që do të hartojnë këto tekste. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Forumit të Komunitetit Shqiptar në Angli, sugjeruan futjen në sistemin shkollor të gradës së notës së gjuhës amtare. Ata kërkuan gjithashtu edhe mbështetjen e MASH-it për trajnime të të gjithë mësuesve që japin mësim në klasat shqiptare jashtë vendit. Ministri i Arsimit shprehu angazhimin e tij se do të intensifikohet më tej trajnimi nga ana e specialistëve të MASH-it, për t'i ardhur në ndihmë rreth 100 mësuesve shqiptarë që japin mësim në klasat shqiptare. Në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 100.000 emigrantë shqiptarë, prej të cilëve 1000 janë fëmijët që mësojnë Gjuhën dhe Historinë e Shqipërisë në klasat shqipe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›