E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi pas vjedhjes së pikturave, galeritë e rretheve pa kontroll

—-Nga Anisa Ymeri—-

Vjedhja e dhjetra tablove në Galerinë “Guri Madhi” të Korçës, shndërruar në një skandal sa i takon asaj që ndodh me vlerat kulturore në vend, duhet të shërbejë si një pikë kthese. Kontrolli i munguar nga institucionet të cilat i kanë në varësi, çuan në këtë vjedhje të këtyre përmasave, montetare dhe të trashëgimisë pasi tani nuk janë më në fondin e kësaj galerie disa prej tablove më të arrira të Vangjush Mios, piktorit i cili hodhi themelet e pikturës moderne shqiptare.

Zëvendësministri i Kulturës, më heret drejor i Galerisë Kombëtare të Arteve, njohës i mirë i këtij lëmi, Z.Abaz Hado flet për një moment i cili duhet të shërbejë për ndërhyrje në ligje të trashëgimisë dhe kontrolle të vazhdueshme në institucionet qendrore të artit që mbartin këto vlera në fondin e tyre.

“Ky është një moment kur ne duhet të reflektojmë që të bëjmë ndërhyrje në ligjin ‘Për trashëgiminë’ sepse situata është kjo, që as indirekt, Ministria e Kulturës nuk ka tagër të ndërhyjë në galeritë e rretheve të cilat janë tërësisht në varësi të bashkive dhe çka është më e keqja, nuk ka kontrolle të vazhdueshme. Kjo është e pafalshme përveçse krim sepse po humbasin vlerat tona, ato që janë në themel të identitetit tonë kombëtar”-thekson Zv.Ministri i Kulturës.

Por nëse për 27 tablotë e piktorit Vangjush Mio të cilat rezultojnë të vjedhura tanimë është hapur një hetim por pakkush e di nëse këto vlera do i kthehen më fondit të galerisë apo jo. Por një gjë është e siguritë, që gjithçka ndodhi si pasojë e mungesës së kontrollit, inventarit të fondit të kësaj galerie, dhe çka është më alarmante, si galeria “Guri Madhi” e Korçës, pa mekanizma kontrolli janë thuajse të gjitha galeritë e rretheve.

“Dihet që krijimet e piktorëve gjenden ngado, arkiva pritave dhe në galeritë e rretheve, një pjesë e të cilave janë mbyllur dhe fondet e tyre janë të rrezikuara jo vetëm nga vjedhjet por edhe nga degradimi”-thekson Z. Hado.

Çka do të thotë se përpos këtyre tablove të cilat tanimë rezultojnë të vjedhura, janë jo pak vlerat e tjera të cilat rrezikojnë të zhbëhen, të vidhen apo të degradojnë, të përvetësohen e të përdoren nga individë vlera të cilat janë të kombit.

Po cila është dhe cila duhet të jetë përgjegjësia e institucionit më të lartë të kulturës në vend për ruajtjen e këtyre vlerave, ndonëse jo e drejtpërdrejtë në rastin konkret. Dhe çfarë do të bëjë e ç’duhet të bëjë Ministrisë së Kulturës për ruajtjen e fondeve të dhjetra muzeve e galerive në qytete të ndryshme të vendit që mbartin vlera të paçmuara?

“Sa i takon rastit konkret-thotë Z. Hado, po hetohet. Ajo që ne duhet të bëjmë në këto momente është të urdhërojmë kontrolle në të gjitha institucionet qendrore dhe jo vetëm për të parë gjendjen. Ky është detyrim yni dhe ne do e bëjmë shumë shpejt këtë gjë”.

Zëvendësministri Hado thekson se vlera e këtyre tablove është e jashtëzakonshme por thekson se ato do të mbeten në Shqipëri pasi Mio është vlerë kombëtare dhe në asnjë kufi nuk do të mund të kalojnë me lehtësi.

“Me ligjet që ekzistojnë ato piktura nuk do të mund të kalojnë në kufi pasi ka edhe urdhëresa të posaçme për përforcimin e masave për rastin konkret, vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë vjedhje mafioze të përmasave të mëdha”-ka pohuar Hado.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›