E Diel, 1 Nëntor 2026

Turistët malazezë zbarkojnë në Murriqan

Një pjesë e turistëve ankohen se pala malazeze i kërkon para për të kaluar kufirin pa vonesa

SHKODËR- Nisja e sezonit turistik ka shënuar edhe një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve që hyjnë në Shqipëri përmes pikëkalimit të Murriqanit. Burime të policisë bëjnë të ditur se gjatë muajit korrik dhe javës së parë të muajit gusht ka një rritje të numrit të njerëzve dhe automjeteve aq sa për herë të parë është krijuar një radhë deri në dy kilometra. Pala shqiptare ka shtuar sportelet e përpunimit nga tre në pesë, ndërsa ajo malazeze punon me numër të njëjtë sportelesh, dy të tillë. Kjo ka bërë që radha e makinave të jetë e pranishme në pjesën malazeze të kufirit. Njerëzit që kanë zgjedhur këtë pikë kufitare për të hyrë në Shqipëri, kryesisht emigrantë, shprehen të pakënaqur për vonesat e përpunimit në pjesën malazeze që bën që ata të presin deri në dy orë. Madje ata kanë akuzuar se ka raste kur policët malazezë i kërkojnë para për të kaluar më shpejt e për të mos u krijuar vonesa të panevojshme. Gjatë muajit korrik përmes këtij pikëkalimi kufitar kanë hyrë në vendin tonë shtetas me kombësi të ndryshme, të cilët më së shumti kanë qenë turistë. Kështu, burime nga policia kufitare në Muriqan theksojnë se në korrik kanë hyrë 1777 shtetas anglezë, 1702 shtetas nga Gjeorgjia, 1523 shtetas nga Rusia, 2159 shtetas nga Polonia , 6991 nga Maqedonia, por dhe nga Kosova, Italia, Australia , Belgjika, Danimarka etj. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për turistë që kanë kaluar pushimet në Malin e Zi por preferojnë të bëjnë një “vizitë” edhe në vendin tonë.  ---------------------------------------------Velipojë, mbytet në det pushuesi kosovar

SHKODËR- Një 56- vjeçar nga Kosova ka humbur jetën dje teksa ishte me pushime në plazhin e Velipojës. Rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, Fehmi Qorrolli ka hyrë për tu larë në det por nuk është parë më të dilte. Pushuesit e pranishëm në këtë plazh janë përpjekur ta nxjerrin dhe t’i japin ndihmën e parë por 56- vjeçari kishte vdekur. Policia ka bërë veprimet përkatëse dhe trupi i pajetë i kosovarit është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko- ligjore. --------------------------------------------Pukë, sharra elektrike i merr jetën 35- vjeçarit

PUKË - Një 35- vjeçar nga fshati Qerret i Pukës është plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen në spitalin e Pukës si pasojë e një aksidenti të pësuar gjatë kohës kur po punonte. Ylber Alija ka qenë duke prerë dru, kur aksidentalisht sharra që përdorte i ka rënë nga duart duke u kthyer prapa dhe dëmtuar atë në trup. Mësohet se 35- vjeçari ka marrë plagë të rënda dhe kanë qenë personat që ndodheshin me të ata që e kanë transportuar drejt spitalit të Pukës, por pa mundur të shpëtojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›