Identifikohet telefonata, “Brigada e kuqe”, alarm fals nga kabina e rrugës te Liceu
Tiranë - Alarmi fals për bombë në Aeroportin e Rinasit u dha nga një telefonatë anonime e bërë nga kabina e rrugës në afërsi të liceut artistik “Jordan Misja”. Rreth katër orë më pas uniformat blu kanë arritur të identifikojnë telefonatën që alarmoi personelin e Aeroportit të Rinasit. Ekspertët e ndërlidhjes në Policisë e Shtetit i janë drejtuar Albtelekomit për të verifikuar thirrjen që është bërë në redaksinë e një medieje dhe kanë arritur në përfundimin se ajo është bërë nga një kabinë telefonike në Rrugën e Elbasanit. Telefonuesi, që pretendonte se ishte pjesëtar i organizatës me emrin “Brigada e kuqe”, ka telefonuar nga një kabinë telefonike në Rrugën e Elbasanit, por është tepër e vështirë që ekspertët ta identifikojnë personin. Edhe pse kanë marrë në pyetje shitësit ambulantë aty pranë si dhe persona të tjerë, nuk kanë ende një identikit të telefonuesit që vuri në lëvizje urgjente policinë për të marrë masat për evakuimin e udhëtarëve si dhe kontrollin e të gjitha ambienteve të aeroportit.
Telefonata
“Jemi nga Brigada e Kuqe. Kemi venë bombë në Rinas”. Këto ishin fjalët që ka shqiptuar shpejt një telefonues, i cili nuk ka preferuar të njoftojë policinë, por redaksinë e një medieje të njohur. Në atë moment ora shënonte 14:35 dhe vetëm kaq ka mjaftuar që forca të shumta policie të mbërrinin me urgjencë në aeroport dhe të nisnin kontrollin e imtësishëm. Uniformat blu kanë bërë evakuimin e pasagjerëve nga ambientet e aeroportit, që ishte i tejmbushur me turistë vendas dhe të huaj. Pas një komunikimi të shpejtë me personelin është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve të planifikuara dhe madje për shkaqe sigurie janë njoftuar nga kulla e kontrollit të trafikut ajror uljet e avionëve që vinin për në Rinas. Policia ka aktivizuar qentë anti-eksploziv për gjetjen e bombës, por ata nuk kanë mundur të gjejnë asgjë. Orë të tëra paniku përfshinë aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pas atij njoftimi telefonik për ekzistencën e një bombe në ato ambiente.
Alarm fals
“Alarmi për bombë ishte i rremë”, - thuhej në deklaratën e policisë pas kontrollit të të gjithë terminalit të Rinasit. Duket sikur telefonuesi nuk ka pasur asnjë synim tjetër përveçse të vërë në provë efektivat blu se si do të reagonin. Pas 45 minutash kontroll gjithandej që nga momenti i dhënies së alarmit, policia ka deklaruar se Aeroporti i Rinasit ishte i sigurt dhe se nuk ka asnjë eksploziv të vënë në të. Sipas të dhënave të policisë, në vendin e ngjarjes aktualisht gjithçka i është kthyer normalitetit dhe rreziku ka kaluar. Udhëtarët janë kthyer në terminal dhe gjithashtu edhe personeli i aeroportit është duke vazhduar punën normalisht.
Alarmi për bombë, kundërshtarët e Besës 30 minuta xhiro mbi Rinas
Alarmi për bombë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë ka pasur një “viktimë”. Të paktën për 30 minuta çarteri me të cilin mbërriti ekipi zviceran i Grasshopersit në Shqipëri, ka bërë varavingo mbi qiellin e kryeqytetit shqiptar pas pezullimit të pistës dhe në pritje të urdhrit për ulje.
Grasshopers do të luajë sot në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit (ora 17:30) kundër Besës së Kavajës ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës Intertoto. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të klubit zviceran, skuadra e Grasshopersit ka mbërritur në Rinas me një çarter 35 vendesh, teksa kanë hasur edhe problemet që kanë shoqëruar aeroportin e vetëm ndërkombëtar shqiptar. Për shkak të alarmit për bombë dhe pezullimit për ulje në pistë, avioni që solli ekipin zviceran është endur për gati 30 minuta në ajër, në pritje të urdhrit për ulje. Por vuajtjet për zviceranët nuk kanë mbaruar këtu, pasi delegacioni ka pritur për një kohë të gjatë në pikën e kontrollit për shkak të alarmit për bombë. Edhe temperatura e lartë e kryeqytetit shqiptar e më pas në Durrës, 35 gradë celsius, i ka dhënë një “grusht” tjetër zviceranëve të mësuar përjetësisht me kohë të freskët në verë.
12 Korrik 2008