Identifikimi i llogarive bankare sipas standardeve të BE-së
Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare “IBAN”, që është një standard ndërkombëtar i përdorur për të identifikuar llogaritë bankare ndërmjet shteteve, do të përdoret tani dhe në Shqipëri. Burime nga Banka e Shqipërisë, bënë të ditur se Banka Qendrore ka përgatitur projekt-rregulloren ”Për strukturën dhe përdorimin e numrit të llogarisë bankare IBAN”, e cila pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së javën e ardhshme.
Sipas BSH-së, aplikimi i “IBAN”-it në vendin tonë do të shërbejë për të lehtësuar pagesat ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërkohë që deri tani bankat amerikane nuk i ofrojnë numrat e llogarisë bankare sipas formatit “IBAN”. Aktualisht janë rreth 46 vende përdoruese të IBAN, vende anëtare të BE dhe vende të tjera evropiane që nuk janë anëtare të saj, si dhe disa shtete të tjera që kanë lidhje ekonomike me BE-në, si Izraeli, Tunizia etj. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj pritet të miratohet dhe projekt “Raporti i stabilitetit financiar për vitin 2007”, projekt-rregullorja ”Për minimumin e rezervës së detyruar të bankave të nivelit të dytë, që mbahet nga Banka e Shqipërisë” etj.
BERZH-i blen 12.5 për qind të aksioneve te Union Bank
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka paraqitur në Bankën e Shqipërisë kërkesën për marrjen e miratimit paraprak për zotërimin e 12.5 për qind të aksioneve të Bankës Union sh.a. Burime nga Banka e Shqipërisë thanë se kërkesa është mbështetur në Ligjin nr.9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe në rregulloren “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me Vendim nr.71, datë 11.09.2002 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës. Sipas BSH-së, Asambleja e Jashtëzakonshme e Aksionarëve të Bankës Union sh.a, mbledhur në datë 18 prill 2008, ka miratuar nënshkrimin e 157.143 aksioneve të reja me vlerë nominale 10 euro dhe me një çmim total prej 3.000.000 eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo bankë, nëpërmjet kësaj kontrate, do të fitojë pronësinë e 12.5 për qind të kapitalit aksionar të Bankës Union sh.a. Ky investim, i cili do të realizohet në kuadër të projektit “Programi italian, fonde për sipërmarrjet lokale të Ballkanit Perëndimor”, ka për qëllim mbështetjen e mëtejshme të veprimtarisë së kredidhënies së Bankës Union si dhe strategjisë së saj për një rritje të shpejtë.
12 Korrik 2008