E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton edhe dy të tjerë për lidhje me “Matrix 4”



Tiranë - Prokuroria e Tiranës ka marrë së fundi nën hetim edhe dy persona të tjerë lidhur me çështjen e vjedhjes së llogarive bankare përmes transaksioneve financiare. Lajmi u konfirmua dje nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat pohuan se grupi hetimor ka nisur punën për sqarimin e pozicionit të këtyre individëve në vjedhjen e llogarive bankare. Këta dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak te sekretit hetimor, sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit mendohet se janë bashkëpunëtorë me të 17 personat e arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar “Matrix 4”. Të pandehurit e këtij operacioni akuzohen për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove nga llogari të ndryshme bankare, nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit “VIZA” dhe “MASTERCARD” me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore.

Tjetër akuzë për Emiliano Temën, arrestuar për plagosje

TIRANË - Një tjetër akuzë është ngritur nga prokuroria ndaj 22-vjeçarit Emiljano Tema, i arrestuar në Tiranë për “plagosje të rëndë me dashje”. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur dje se 22 - vjeçari Tema është nën hetim edhe për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike”. Emiljano Tema, 22 vjeç, lindur dhe banues në Shijak (Durrës), u arrestua para dy ditësh nga shërbimet e policisë së Tiranës pas urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e rrethit. Sipas burimeve të mësipërme, ai dyshohet se është autor i plagosjes se rënde me dashje, pas një konflikti për motive të dobëta, të shtetasit Rifat Xhili, më 15 mars të këtij viti në Ndroq (Tiranë). Ndërkohë ai po hetohet edhe për “shitje të lëndëve narkotike”. Nga të njëjtat burime mësohet se ky person ka qenë më parë i dënuar për “armëmbajtje pa leje”.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›