E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë pret buxhetin dhe taksat për shqyrtim



Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat nuk e kryen aktivitetin e tij që prej dy javësh, duke qëndruar në pritje të ligjeve të reja që do të vijnë nga Këshilli i Ministrave. Burime nga zyra e Kuvendit shprehen për gazetën se bllokimi i punës në komision varet me mungesën e drafteve nga ana e qeverisë. Ndërkohë, në komision ka pak kohë që kanë mbërritur dy projektligjet fiskale: taksat vendore dhe ato ndërkombëtare. Diskutimi i tyre në Kuvend parashikon të sjellë debate mes opozitës dhe deputetëve të maxhorancës. Ligjet në fjalë janë kundërshtuar edhe nga biznesi, sidomos sektori i ndërtimit, i cili aktualisht ndodhet në fazë krize. Një tjetër projekt i rëndësishëm pritet të mbërrijë në Komisionin e Ekonomisë. Bëhet fjalë për projekt-buxhetin shtesë, i cili më parë kalojë në Këshillin e Ministrave. Burime nga Ministria e Financave u shprehën për gazetën se, “buxheti shtesë pasi do të kalojë në qeveri më pas do të shkojë për miratim në Parlament”. Në këtë pikë, komisioni do të qëndrojë pushim deri në kalimin e buxhetit në qeveri, pasi edhe ndryshimet në legjislacionin fiskal do të kalojnë në të njëjtën kohë. Komisioni i përhershëm parlamentar, i cili drejtohet nga deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka pasur jo pak herë probleme për zhvillimin normal të mbledhjeve, kjo për faktin se në shumë raste deputetët nuk i përgjigjeshin, jo vetëm rregullores së Kuvendit, por edhe telefonit të kryetarit të tyre. Madje, Spaho, në një moment të caktuar ka deklaruar se nëse nuk ndryshon situata, do të kërkojë rikonfigurim të grupit, që do të thotë të bëjë përjashtime të atyre deputetëve që nuk vijnë normalisht në mbledhje.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›