Mjeku Hoxhallari rrezikon pezullimin nga detyra
TIRANË - Mjeku Xhevahir Hoxhallari, i cili është marrë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës lidhur me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti, pas një operacioni në bajame, rrezikon të pezullohet nga detyra. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur dje për gazetën se Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës marrjen e masës se pezullimit nga detyra për mjekun Xhevahir Hoxhallari.
Kjo kërkesë pritet të merret ditët në vijim në shqyrtim nga gjykata, e cila do të japë verdiktin për këtë çështje.
Mjeku Xhevahir Hoxhallari po hetohet nga organi i akuzës, pasi dyshohet për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me vdekjen pak kohë më parë të pacientes 17-vjeçare Petriti në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. 17-vjeçarja nga Korça humbi jetën si pasojë e një hemorragjie pas një operacioni në bajame.
Arrestohet adoleshenti, ishte dënuar me burg për moskryerje të shërbimit ushtarak
Tiranë – I ishte shmangur kryerjes së shërbimit ushtarak, arrestohet pasi ishte i dënuar nga Gjykata. Burime policore thanë për gazetën se dje shërbimet e Kontroll - Territorit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, kanë realizuar kapjen e shtetasit në kërkim Eduart Koçi, 24 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Farkë. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 29 maj 2008, e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale sepse akuzohet për “Shmangie nga thirrja për shërbim ushtarak”, vepër e cila parashikohet në nenin 16/1 të Kodit Penal Ushtarak.
Policia ndalon Hoxhollin, i shiti drogë një përdoruesi
Tiranë – Një 42-vjeçar u arrestua dje nga policia pasi u kap në flagrancë duke shitur lëndë narkotike. Arben Hoxholli, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, u arrestua rreth orës 12:30 duke i shitur lëndë narkotike Klodijan Spahiu. U kryen veprimet procedurale, gjatë kontrollit të shtetasit Arben Hoxholli, ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, e ndarë në 3 doza. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Pranga punëtores së seksit, kreu marrëdhënie për një mijë lekë
Tiranë – Kreu marrëdhënie me një shtetas prapa Pallatit të Kulturës, ndalohet 25-vjeçarja. Gjatë orëve të vona të dy ditëve më parë specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme kryen arrestimin në flagrancë të Sonila Ymerit, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, e dënuar më parë për “dëshmi të rreme”. Arrestimi i saj u krye sepse u kap në flagrancë duke ushtruar prostitucion kundrejt shumës së parave prej 1000 lekësh, në afërsi të lulishtes prapa Pallatit të Kulturës. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprat penale të “marrëdhënies seksuale në vende publike” dhe “prostitucion”, parashikuar nga nenet 107 dhe 113 të Kodit Penal.
12 Korrik 2008