Alarmi, rrezikon shembjen kulla 200-vjeçare në Kurbin
MILOT - Drejt shëmbjes një nga kuallat më të vjetra në rrethin e Kurbinit. E ndërtuar mbi 200 vjet më parë dhe e njohur si një nga kullat ku burrat e mençur të zonës së Veriut vinin për të ndarë së bashku problemet që kishin, kjo kullë vazhdon të ruajë ende me vështirësi karakteristikat e ndërtimeve të bëra dy shekuj më parë. Ajo është ndërtuar në trojet e Kokë Malçit, një nga bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut. Një nga trashëgimtarët e kësaj familje është edhe Gjetë Malçi i cili tregon mbi vlerat që mbart në vetvete kjo kullë që tashmë është e pabanueshme. Sipas tij kulla” është e shtetasit të ndjerë Dedë Prend Malçit, i ndarë nga jeta në vitin 1920. Tashmë, kjo ndërtesë është e pabanueshme. E megjithatë këtu vijnë mjaftë njerëz, të cilët e vizitojnë për vetë rëndësinë historike dhe vlerat arkitekturore që ka kjo banesë. Kulla është e ndërtuar në vitin 1805, nga trashëgimtarët e Kokë Malçit me mure guri dhe qoshe të gdhendura. Ka dritare dhe frëngji të vogla, të cilat shërbenin vetëm për nxjerrjen e tytës së pushkës në raste sulmi. Brenda saj ndodhet dhoma e madhe ku priteshin miqt, me frëngji, e cila kontrollonte derën kryesorë të shtëpisë nëse dikush afrohej pranë banesës për të sulmuar. Tavani është i ndërtuar me dru lisi të gdhendur. Në krye të murit ka të vendosur çemerë që lidhin murin, të cilat akoma nuk janë prishur. Ajo që bie në sy në dhomën e burrave është oxhaku pranë të cilit ndodhet dollapi i pjekjes së kafes, dhe pajisje të tjera për servirjen e saj. Kryetari i komunës së Milotit Vlash Gega tregon se është e vetmja kullë në rrethin e Kurbinit 3-katshe, e ndërtuar në atë periudhë që mbartë mbi 80% të ndërtimit të kohës së vjetër duke mbetur akoma pa u shembur. Gega kërkon ndihmën e Insitutit të Monumenteve të Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit për restaurimin e saj. Kulla është e ngritur në fshatin Shkopet. Për të mbërritur tek kjo ndërtesë 200-vjeçare duhet të marrësh rrugën e Burrelit dhe sapo të kalosh digën e hidrocentralit të Shkopetit, në krahun e djathtë të tij ndodhet edhe kulla e kuvendeve dhe e pleqësisë siç njihet edhe nga banorët, jo vetëm të zonës së Kurbinit, por të të gjithë zonës së Veriut.
3 Qershor 2008