Panairi i qershorit, 40 biznese greke dhe qipriote në Tiranë
Për herë të parë do të zhvillohet në Tiranë panairi i kompanive greke që punojnë në Shqipëri, ku mbi 40 firma greke dhe qipriote do të prezantojnë aktivitetin e tyre ekonomik në Pallatin e Kongreseve nga data 5-7 qershor 2008. Organizimi i këtij panairi realizohet përmes bashkëpunimit mes Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Unionit të Dhomave helenike të Tregtisë dhe është i pari bashkëpunim në këtë fushë. Ky panair mbështetet edhe nga Zyra për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën e Republikës së Greqisë në Shqipëri. Me këtë panair, bënë të ditur Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, “marrëdhënieve ekonomike e tregtare mjaft intensive midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe bashkëpunimit midis bizneseve reciproke, iu ofrohet një tjetër shans për t’u përmirësuar e zhvilluar edhe më tej”. Si një produkt i bashkëpunimit midis Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë dhe Unionit të Dhomave Helenike të Tregtisë, i projektuar nga drejtuesit e dy institucioneve, Ilir Zhilla dhe George Kasimatis, panairi synon që t'i japë një shtytje të re bashkëpunimit ekonomik dhe institucional midis dy vendeve. Në panair, do të ekspozojnë produktet si dhe programet e tyre përmbi 40 kompani e biznese nga Greqia, si dhe një numër i konsiderueshëm kompanish “joint-venture”, greko-shqiptare. Bankat, investimet, prodhimet industriale dhe ushqimore, bujqësia, turizmi, shërbimet, artizanati, janë disa nga fushat ku veprojnë subjektet pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Gjatë ditëve të panairit, organizatorët kanë parashikuar të zhvillojnë edhe konferenca shtypi, seminare për problematikat e doganave, tatimeve, për ligjin dhe praktikat e koncesioneve, si dhe rreth mundësive për të investuar në vendin tonë. Gjithashtu pritet të ketë dhe promovime të bizneseve e produkteve më të reja. Greqia është partneri i dytë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, pas Italisë. Në katër muajt e parë të këtij viti, shkëmbimet tregtare arritën në vlerën e 22 miliard e 644 milionë lekëve. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet e Shqipërisë drejt vendit fqinj arritën në rreth 3 miliardë e 551 milionë lekë, ose 13 për qind e totalit, ndërsa vlera e importeve nga Greqia, në 19 miliardë e 93 milionë lekë, ose 15.5 për qind e totalit.
3 Qershor 2008