E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, del pas 10 muajsh burg kryebashkiaku i korruptuar

Gjykata e Beratit liron Agim Bregu ish kreun e bashkisë Ura Vajgurore. Rrëzohet pretenca për 2 vjet burgim. Kisha akuzoi 3 zyrtarë për skandalin

Eneida Petova

BERAT – Pas zëvendësministrit të Transporteve, Nikolin Jakut, një tjetër zyrtar i lartë, i akuzuar për korrupsion, lë qelinë pas 10 muajsh qëndrimi në paraburgim. Në ndryshim nga kërkesa e organit të akuzës, gjykata ka lënë të lirë dje ish kryebashkiakun e Ura Vajgurore, Agim Bregut. Trupi gjykues, i kryesuar nga Bernina Kondi, njëherazi edhe kryetare e gjykatës së Beratit, e ka vlerësuar të mjaftueshëm periudhën e paraburgimit prej 10.5 muajsh të Bregut, e cila përkon me kohën e dënimit të dhënë në vendim. Kryebashkiaku i Ura- Vajgurore, në detyrë deri në shkurt të vitit 2007, Agim Bregu, ishte akuzuar nga prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale të “vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal dhe “falsifikim të dokumenteve në bashkëpunim”.
Vendimi
Për akuzat e mësipërme, një javë më parë, prokurori Skënder Mestani i ka kërkuar trupit gjykues dënimin me 2 vjet burg për Agim Bregun, por në mesditën e djeshme ky trup gjykues, pasi ka dëgjuar edhe mbrojtjen dhe ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin, në përfundim të hetimit gjyqësor, ka rrëzuar akuzën “falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim”. Në përfundim, trupi gjykues ka vendosur që ish kryetari bashkisë Agim Bregun të dënohet me 10.5 muaj burg, kohë kjo e barabartë me kohën e qëndrimit të tij në dhomat e paraburgimit. Arrestimi i Agim Bregu është bërë më 29 tetor të vitit 2007 pas kallëzimit që Kisha Apostolike me qendër në Tiranë kishte bërë në prokurorin e Rrethit Gjyqësor Berat.
Thuajse e njëjta masë dënimi është dhenë edhe për dy ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë së Ura Vajgurore që ndiqeshin në gjendje të lirë; Lefter Doko dhe Afërdita Ziu. Por këta të fundit kanë kërkuar pafajësi dhe kanë kërkuar gjykimin e çështjes në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe në qoftë se kjo e fundit do të lërë në fuqi masën e dënimit të dhënë nga gjykata e rrethit Gjyqësor Berat, ata do të detyrohen t’i kthehen dhomave të burgut për të kryer dënimin e dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit.
Skandali
Përfaqësuesit e Kishës Apostolike në kallëzimin e bërë pranë organit të akuzës kanë thënë se kjo kishë në vitin 2002 kishte blerë një truall me sipërfaqe 200 m2 dhe me vlerë 795 mijë lekë. Pas kryerjes së veprimeve, Kisha Apostolike kishte derdhur pranë arkës së bashkisë shumën e mësipërme, por ndërtimi nuk mund të fillonte pasi bashkia nuk ishte pronare e kësaj sipërfaqe dhe se kjo pronë nuk kishte numër kadastral pasi nuk figuronte në regjistër. Nga verifikimet e kryera gjatë hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se pranë bashkisë ishin derdhur vetëm 250 mijë, duke munguar në arkën e saj shuma prej rreth 500 mijë lekë. Bashkë me ish-kryebashkiakun Bregun në tetor të vitit 2007 u prangosën edhe ish-shefi i zyrës së Financës, Lefter Doko dhe ish shefja e Zyrës së Urbanistikës pranë bashkisë Afërdita Ziu, të cilët u ndaluan pas lëshimit të urdhrit Nr. 338 me datë 29 tetor 2007, të lëshuar nga organi i akuzës. Por, ndonëse kisha derdhi shumën për blerjen e truallit me qëllim ndërtimin e objektit ajo nuk mundi që ta ndërtonte atë pasi trualli nuk kishte qenë pronë e bashkisë. Po , kështu Bregu dhe dy shefat e sektorëve akuzohen se nuk kanë derdhur pas procedurës të gjithë sasinë e parave pranë arkës së bashkisë, por vetëm një pjesë të saj. Nga verifikimet e kryera gjatë hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se pranë bashkisë ishin derdhur vetëm 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Në këto kushte pasi ka vërejtur shkelje në mos zbatim të kontratës dhe mos derdhje të sasisë së lekëve prokuroria lëshoi urdhër ndalimin për ish-kreun e bashkisë dhe dy shefat e sektorëve.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›