E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pranvera” kap 13 vetë për armëmbajtje



SHKODËR - 13 persona, të akuzuar për armëmbajtje pa leje, si dhe dy persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë arrestuar nga policia e Shkodrës gjatë 3 muajve të fundit në kuadrin e operacionit të koduar "Pranvera". Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, gjatë një konference për shtyp të dhënë dje bëri të ditur se "këta persona u arrestuan gjatë muajve mars-prill dhe maj të këtij viti në kuadër të planit të operacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë 'Për parandalimin e veprave penale me përdorimin e armëve të zjarrit'".

Dy objekte përfshihen nga flakët për pak orë

SHKODËR - Dy zjarre ranë të hënën në rrethin e Shkodrës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Burime nga sektori i zjarrfikësve në prefekturën e qarkut të Shkodrës thanë se "rasti i parë u shënua në fshatin Golem, në periferi të Shkodrës, kur një automjet tip "Zetor", me drejtues Dritan Avdija, i ngarkuar me bazë ushqimore për bagëtitë, u përfshi nga zjarri si pasojë e kontaktit me një linjë elektrike" . Sipas të njëjtave burime, pak orë pas zjarrit në fshatin Golem, një lokal i ndodhur në lagjen "Marin Barleti" të qytetit të Shkodrës, pronë e shtetasit Ndrekë Zeka, u përfshi nga zjarri si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.

Plagoset 12-vjeçari, i shpërthen kapsolli në dorë

SHKODËR - Një 12 vjeçar nga rrethi i Shkodrës mbeti i dëmtuar të hënën si pasojë e shpërthimit të një kapsolle detonatore, me të cilën ai ishte duke luajtur. Burime zyrtare pranë komisariatit të policisë së Shkodrës thanë se 12 vjeçari E.T., lindur e banues në fshatin Paçram të Komunës Hajmel po kulloste bagëtitë kur gjeti një kapsollë me të cilën ka nisur të luajë pa e menduar se nga shpërthimi i saj do të pësonte plagë të rënda në dorë dhe fytyrë. Sipas policisë, pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës, 12 vjeçari u dërgua për një kurim më të specializuar në Spitalin "Nënë Tereza" të Tiranës.

Grabiti me dhunë makinën, shpallet në kërim

DURRËS – Pas 24 orësh është bërë e mundur identifikimi i një 21-vjeçari, pasi grabiti me dhunë një shtetas nga fshati Katund Sukth i rrethit të Durrësit, duke i marrë makinën. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se “u bë i mundur identifikimi i të dyshuarit për vjedhjen me dhunë të një automjeti në lagjen Nr. 13 në Durrës, autori i së cilës është shtetasi Armando Lusha. Si rezultat i punës hetimore të kryer nga kjo strukture, dyshohet se ky shtetas më datë 01.06.2008, rreth orës 19.00, ne lagjen Nr. 13 Durrës, ai ka vjedhur me dhune automjetin tip Volksvagen me targa 270 KS 920, pronë e shtetasit K.A., 24 vjeç, banues në Katund Sukth në Durrës. Pas ngjarjes i dëmtuari është dërguar në Spitalin e Durrësit. Lusha është shpallur person në kërkim.

Kapet 60-vjeçarja, u denuar për kultiv kanabis

VLORË – Tashmë 60 vjeçarja do të vuajë dy vjet në qeli pasi është dënuar nga gjykata për kultivim të lëndëve narkotike. Në zbatim të këtij vendimi, forcat e rendit të policisë së Vlorës prangosen dy ditë më parë shtetasen Zarife Imeraj. Ndalimi i saj është bërë nga efektivat e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë. Në muajin shkurt të këtij viti gjykata dënoi 60-vjeçaren Imeraj, nga fshati Gërnec i rrethit të Vlorës, me 2 vjet burg në mungesë për kultivim të lëndëve narkotike. Që në muajin mars ajo ishte shpallur në kërkim. Vetëm dy ditë më parë Zarife Imeraj është ndaluar dhe do të vuajë dënimin në qeli.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›