E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI, Ali Ahmeti: “Fitorja jonë, e pashmangshme”



Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, partia e të cilit fitoi në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën në Maqedoni e ka konsideruar fitoren e partisë që ai përfaqëson si të pashmangshme pavarësisht dhunës që karakterizoi procesin zgjedhor. “Shqiptarët për 6 vite me radhë dhe në vazhdimësi e kanë mbështetur programin tonë. Ky vullnet u dëshmua edhe në qershor te këtij viti kështu që unë jam mirënjohës për këtë mbështetje të madhe pavarësisht shkeljeve, pavarësisht dhunës së votës, por me gjithë parregullsitë ne jemi fitimtarë”, - tha Ahmeti. I pyetur për një koalicion të mundshëm dhe se cili do të jetë ai, Ahmeti shtoi se “koalicionet janë marrëveshje. Do të shikojmë të normalizohet situata, sepse kemi dhe raundin e dytë aty ku ka pasur shkelje të rënda të procesit, vrasje plagosje. Këto zgjedhje mund të sjellin edhe ndryshime”.

Maqedoni, SHBA-të, të zhgënjyera nga dhuna në zgjedhje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ashpër ndaj dhunës të shkaktuar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. “Ne jemi të zhgënjyer nga shkalla e lartë e dhunës që rezultoi me një të vdekur dhe disa të lënduar, frikësimi i votuesve, zyrtarëve të komisioneve zgjedhore dhe vëzhguesve të akredituar nga grupe të armatosura, të lidhura me partitë më të mëdha të shqiptarëve”,-është shprehur SHBA nëpërmjet deklaratës së Ambasadës Amerikane. Zhgënjyese sipas tyre ka qenë edhe lista e gjatë e parregullsive si vjedhja dhe mbushja e kutive të votimit dhe manipulimi i listave të votuesve në vendvotime veçanërisht në veriperëndim të vendit dhe në qytetin e Shkupit.

Qeveria e Kosovës është e shqetësuar për incidentet në Maqedoni

Shqetësimin për zhvillimet në Maqedoni e ka shprehur edhe qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo çështje është diskutuar edhe në takimin me dyer te mbyllura ndërmjet Presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi. Zëvendës-kryeministri, Hajredin Kuçi tha se do të ishte në interes edhe të Kosovës që zhvillimet atje të ishin demokratike. “Kemi dëshiruar që shenjat demokratike dhe të legjitimimit të pushteteve të bëhen në mënyrë demokratike, kudo në botë e në veçanti në shtetet përreth nesh siç është Maqedonia e po ashtu edhe në hapësirën shqiptare”,-tha Kuçi duke shtuar se Qeveria e Kosovës nuk ka preferenca se cila parti shqiptare duhet të jetë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë.

Berisha komenton zgjedhjet në Maqedoni

“Dhuna nuk shkon me frymën e zhvillimeve në rajon”

Kryeministri Berisha ka dënuar incidentet e dhunshme të ushtruara gjatë zgjedhjeve të së dielës në Maqedoni. Berisha është shprehur dje se ka komunikuar në telefon me dy liderët kryesorë të partive politike shqiptare në Maqedoni dhe se ka shprehur besimin se autoritetet maqedonase do të dinë të japin rekomandimet më të mira për riparimin e problemeve. “Në këto zgjedhje ka pasur disa incidente, të cilat kanë krijuar tensione dhe frikë që nuk shkojnë në frymën e zhvillimit normal të zgjedhjeve. Sidoqoftë dënoj çdo akt dhune. Unë kam besim se autoritetet maqedonase të zgjedhjeve dhe grupi ndërkombëtar i vëzhgimit do të japin rekomandimet më të mira”, - është shprehur Berisha.

Reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë

“Faktori politik në Maqedoni duhet të tregojë maturi”

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar dje në lidhje me procesin zgjedhor të zhvilluar në Maqedoni. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Ministria e Jashtme ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen e thellë për incidentet e dhunshme që e shoqëruan këtë proces. ”Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe përgjegjësi politike dhe të sigurojnë që procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve të mos shoqërohet me incidente të mëtejshme”, bëhet e ditur në deklaratë.

PS: Partitë shqiptare të luajnë rol konstruktiv

Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për incidentet e ndodhura gjatë zgjedhjeve në Maqedoni. Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Arta Dade, inkurajoi drejtuesit politikë të partive shqiptare në Maqedoni që të pozicionohen mbi dallimet partiake.
“Ne inkurajojmë udhëheqësit e forcave politike, të dënojnë aktet e dhunës dhe të angazhohen që kjo të mos rishfaqet në ato zona ku do të këtë përsëritje të zgjedhjeve. Faktori shqiptar duhet të ngrihet mbi dasitë partiake dhe të përfaqësojë realisht aspiratat e shqiptarëve për një Maqedoni demokratike dhe të integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ata duhet të frenojnë militantët e tyre ekstremiste për të mos rënë pre e provokacioneve që kërkojnë ta mbajnë shqiptarët në qerthullin e konfliktualitetit”, - tha Dade.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›