Alarmi, rritet ndjeshëm numri i fëmijëve të prekurve nga Autizmi
Lizeta Duro
Numri i fëmijëve të prekur nga sëmundja e autizmit po njeh rritje çdo vit. Edhe pse në vendin tonë akoma nuk ka statistika zyrtare, specialistët e shëndetësisë shprehen të shqetësuar për numrin e të prekurve duke thënë se në më pak se 150 fëmijë 1-ri vuan nga autizmi. Ndërsa në botë diferenca është me e vogël, rreth 1 në 90 fëmijë. Statistikat botërore tregojnë se sëmundja është tepër shqetësuese dhe rastet e saj janë në rritje, ku një në 99 fëmijë rezulton me autizëm. Specialistët, bazuar në vitet e fundit shprehen alarmin se se rastet janë në rritje dhe sqarojnë se duhet të merren masa të menjëhershme pasi kjo sëmundje nëse trajtohet mund të përmirësojë gjendjen shëndetësore të të prekurve. Sipas mjekëve, autizmi infantil është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje bizarre ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit janë ndër simptomat më karakteristike të fëmijët autikë, që evidentohen kur fëmija nis të flasë, ç’ka përbën një nga kriteret diagnostikuese.
Strategjia
Ministria e Shëndetësisë, ka urdhëruar tashmë ngritjen e grupit të punës për hartimin e Strategjisë për trajnimin e specialistëve dhe familjarëve të fëmijëve me autizëm, e cila do të fillojë të funksionojë që në fillim të vitit 2011. Pas lançimit të nismës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Autizmin, Fondacioni i "Fëmijëve shqiptare", me Presidente znj. Liri Berisha, kanë ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm, trajnimin e specialistëve të Qendrës "Fluturo për jetën" me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve autikë. Ky trajnim bëhet në kuadër të Projektit "Program Formimi në ndërhyrjet e sjelljes për terapist fëmijësh me çrregullime te spektrit autik", një bashkëpunim i Fondacionit "Fëmijët shqiptarë", i njohur për mbështetjen e fëmijëve autikë, me asistencën profesionale nga "Autism speaks", në Nju Jork, i financuar nga fondacioni "Vodafone Albania".
Raporti
Raporti i botuar dje nga “British Medical Journal", tregoi se vaksinat e marra nga fëmija në vitet e para të jetës nuk ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes së autizmit. Sipas raportit, studimet e fundit tregojnë se vaksina apo marrja e medikamenteve të ndryshme nuk kanë lidhje fare me prekjen e këtyre fëmijëve nga autizmi.
Në vitin 1998, Dr. Endrju Uejkfild bëri një studim sipas të cilit fëmijët që kishin bërë vaksina në vitet e para të jetës së tyre ishin më të rrezikuar se të tjerët për tu prekur nga sëmundja e autizmit. Ky studim rriti shqetësimin e prindërve se vaksinat mund të ishin të rrezikshme dhe uli shkallën e imunizimit për një grup sëmundjesh.
Autizmi
Autizmi është paaftësi zhvilluese e përjetshme çka do të thotë e vështirë për t’u kuruar, e cila ndikon në mënyrën se si personi komunikon dhe sillet me njerëzit rreth tij. Fëmijët dhe të rriturit me autizëm kanë vështirësi në afrimitetin me të tjerët në mënyrë të thjeshtë. Në përgjithësi aftësitë e tyre për të zhvilluar shoqëri dhe aftësia e tyre për të kuptuar shprehjet emocionale të njerëzve të tjerë janë të kufizuar. Njerëzit me autizëm shpesh mund të kenë paaftësi të tjera në shikim, të dëgjuar, të folur, por çdo njeri me këtë gjendje ka vështirësi të të kuptuarit. Autizmi konsiderohet sot një sëmundje me rëndësi madhore, krahas sëmundjeve si HIV/AIDS, apo kanceri dhe renditet e treta për nga rëndësia e studimit dhe gjetjes së shkaqeve që e krijojnë. Ekziston edhe një gjendje tjetër që quhet sindromi i Asperger, i cili i përshkruan njerëzit me lloj më të lartë të autizmit. Ndërsa sindromi tjetër i shfaqjes së autizmin është sindromi i Kanerit.
Trajtimi
Autizmi mendohet nganjëherë si një sëmundje e pashërueshme, megjithëse ky mendim është i diskutueshëm. Ka shumë terapi autiste me synime të ndryshme, për shembull: të përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies, problemeve emocionale, shqisore, vështirësive me mësimin dhe komunikimin etj.
Sindromi i Kanërit dhe simptomat
Sindromi i Kanerit, mban emrin e studiuesit amerikan që bëri analizën e parë të simptomave më të cilat shfaqet ky lloj i autizmit, është i njohur edhe si autizmi i hershëm fëmijëror, për shkak të paraqitjes shumë të hershme në fëmijëri. Ky sindrom shfaqet zakonisht prej moshës 2-vjeçare, në disa raste mund të shfaqen edhe më herët, por vështirësia e diagnostikimit është shumë e madhe. Te ky lloj i autizmi fëmija në dukje i shëndoshë shfaq çrregullime në sjelljeve, komunikimin verbal apo të folur, përqendrimin, etj. Shumica e prindërve nuk dinë t’i vlerësojnë këto sjellje si jo normale, apo si diçka qa duhet konsultuar me mjekun. Vetëm kur sjelljet e fëmijës fillojnë të keqësohen atëherë prindërit i drejtohen mjekut. Por është e rëndësishme që simptomat me të cilat shfaqet sëmundja të njihen nga prindërit.
Sëmundjet kromozomike dhe sindromi Down
Përveç sëmundjeve gjenetike, ka një grup sëmundjesh kromozomike, prej nga dalin personat me sindromën down, ose të quajtur ndryshe “sindroma e mongolizmit” për shkak të formës së tërhequr të syve. Kjo sëmundje, që në gjuhen popullore quhet “prapambetje mendore”, shkaktohet nga një kromozom më tepër. Personat down kane tre kromozome 21, në vend që të kenë vetëm dy. Sindroma down shfaqet më dendur te gratë shtatzëna mbi 35 vjeç. Nga 1 në 1350 raste, probabiliteti që një grua të ketë një fëmijë down me kalimin e viteve shkon në 1 në 50 raste, pas moshës 40 vjeç. Është e domosdoshme që gratë shtatzëna mbi këtë moshë, të bëjnë analizën e sëmundjes kromozomike. Nëse këto kontrolle realizohen, atëherë edhe lindjet e fëmijëve me probleme apo sindromën down zvogëlohen.
Simptomat
Më të prekur nga kjo sëmundje janë fëmijët. Si një nga simptomat e para të autizmit është kontakti me sy, ku fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy me fëmijë të tjerë dhe po ashtu edhe me prindërit. Por vihen re edhe çrregullime gjatë të folurit. Mund të ndodhë që fëmija të harrojë fjalët. Nuk është në gjendje të kryejë veprime të pavarura, qan pa arsye, është i tensionuar, i shpërqendruar, ka çrregullime të gjumit, etj. Rol me rëndësi është diagnostikimi i hershëm i autizmit që në moshën 3-vjeçare, sepse terapitë do të kenë me shumë sukses sesa kur ato fillojnë me vonë.
- Probleme me shikimin.
- Vështirësi në të folur.
- Probleme me dëgjimin dhe komunikimin.
- Aftësi e kufizuar për të kryer veprime të pavarura.
- Fëmija izolohet në vetvete.
- Formulon me vështirësi mendimet.
- Ka vështirësi në të kuptuar dhe kujtesë.
7 Janar 2011