E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis plotësimi i kërkesave nga familjarët e të pushkatuarve pa gjyq



Anilejda Shëmbitraku

Në fillim të javës që vjen, të gjithë familjarët e të pushkatuarve pa gjyq të sistemit komunist, do të mund të nisin procedurat ligjore për plotësimin e dokumentacionit për përfitimin e dëmshpërblimit. Masa e dëmshpërblimit financiar do të jetë e barabartë me dëmshpërblimin për 8 vite burgu. Të gjitha procedurat për dorëzimin e dokumentacionit janë përcaktuar nga vendimi që ka marrë Këshilli i Ministrave në muajin nëntor.

Dokumentacioni
Pasi plotësohen dokumentet, ato dorëzohen në Ministrinë e Drejtësisë. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda afatit 30-ditor nga depozitimi i dosjes, njoftojnë, me shkrim, Ministrinë e Drejtësisë dhe i përcjellin, bashkëlidhur, një kopje të dokumenteve përkatëse arkivore. Kur është e mundur, autoritetet përgjegjëse japin të dhëna edhe për veprën penale politike për kryerjen e së cilës viktima është ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq. Autoritetet përgjegjëse, për përgatitjen e përgjigjes, shfrytëzojnë burimet e tyre arkivore, të krijuara para datës 1.10.1991, të cilat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, tregojnë të dhëna për rrethanat e ekzekutimit pa gjyq të viktimës për një vepër penale politike. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje.

Familjarët
Në Kodin Civil shqiptar, trashëgimtarët, për çdo lloj përfitimi janë të përcaktuar dhe ato vijojnë si më poshtë: bashkëshortja, fëmijët (të cilët janë gjithnjë në radhë të parë), më pas kalohet në rrethin e dytë të trashëgimtarëve, që përfshin vëllezërit dhe motrat e viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Familjarët në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar përcillen pranë Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet Postës Shqiptare sh.a. dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, për dërguesin me vendndodhje jashtë vendit. Pas regjistrimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Çdo kërkesë i nënshtrohet, paraprakisht, hetimit administrativ në sektorin e gjendjes gjyqësore, në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas ligjit, masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2000 (dy mijë) lekë në ditë.

Formulari
Të dhënat e aplikuesit

Formulari i aplikimit për dëmshpërblimin financiar të familjarëve të viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, duke u nisur nga data e botimit në Fletoren Zyrtare, ka afat dorëzimi deri më datë 17 korrik të vitit 2011. Plotësimi i tij nga ana e familjarëve mund të fillojë në muajin janar të vitit 2011. Formulari përbëhet nga 6 faqe. Në të parën vendoset fotografia dhe kërkesa e pasardhësit të të ekzekutuarit pa gjyq. Në faqen e dytë vendosen të dhënat e sakta për identitetin e të ekzekutuarit padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe informacioni për gabime ortografike në ndonjërin prej dokumenteve. Në faqen e tretë vendosen të gjithë emrat e pasardhësve sipas Kodit Civil, ndërsa në faqen e katërt vendoset adresa e saktë e aplikuesit. Në faqen pesë vendosen të dhënat për periudhën e paraekzekutimit, si dhe të dhëna për llojin dhe mënyrën e ekzekutimit. Ndërsa në 11 faqet e tjera duhet të përcaktohen format e ndryshme të ushtrimit të dënimeve politike dhe të plotësohen të gjitha të dhënat që i korrespondojnë të afërmit të kërkuesit.

KËRKESA
Dokumentacioni që është i domosdoshëm

1- Të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, në kohën e ekzekutimit;
2- Të dhëna për kohën e ekzekutimit;
3- Aktin administrativ apo dokumentin zyrtar, të lëshuar gjatë periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991, që provon ekzekutimin pa gjyq, për motive politike;
4- Certifikatën e vdekjes së viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, dhe certifikatën e trungut familjar;
5- Dokumentacionin që provon lidhjen familjare të dërguesit me viktimën e ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, si dhe dokumentacionin që provon se cilët nga familjarët përfitues janë të gjallë;
6- Çdo informacion, lidhur me gabimet ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të viktimës së ekzekutuar padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, për identifikimin e saktë të tij;
7- Një adresë të saktë, të zgjedhur për komunikim.
8- Certifikatat e lindjes duhet të jenë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.

7 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›