Publikohen datat kur shqiptarët duhet të aplikojnë për punë në Itali
Anilejda Shëmbitraku
Pas publikimit të dekretit të flukseve në Itali, është bërë zyrtare edhe qarkorja e përbashkët mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme Italiane. Ndër shpjegimet më të rëndësishme të qarkores së përbashkët është ai që sqaron datat e paraqitjeve të kërkesave, sidomos për konvertimet e lejeve të qëndrimit për të huajt me prejardhje nga vendet që kanë marrëveshje dypalëshe me Italinë. Shqiptarët që jetojnë në Itali me një leje qëndrimi çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në leje qëndrimit për punë sipas nenit 4 të dekretit të flukseve, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011.
Kërkesa
Procedura e nisjes së kërkesës do të jetë shumë e ngjashme me atë të vitit 2007. Dallimet e pakta kanë të bëjnë me futjen e lehtësimeve teknologjike. Nuk do të nevojitet të shkarkohet në kompjuterin e shtëpisë software i Ministrisë së Brendshme italiane. Këtë herë do të jetë e mundur që kërkesa të përpilohet drejtpërdrejt nga faqet internet të Ministrisë, e cila menjëherë do të japë konfirmimin e marrjes së kërkesës (nuk parashikohet më nisja e një e-mail-i konfirmimi në adresën e postës elektronike). Nga data 17 janar, në faqet internet të Ministrisë së Brendshme italiane do të vihet në dispozicion programi për përpilimin e formularëve që duhet të nisen në datat e paracaktuara (dhe jo më parë) dhe do të ofrohet asistencë. Në ligj është shkruar shprehimisht se do të pranohen kërkesat e paraqitura brenda 6 muajsh nga data e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare. Mes të tjerash, qarkorja e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme italiane mbi dekretin e flukseve 2010 tregon edhe formularët me të cilët do të paraqiten online kërkesat për një kuotë të flukseve 2010.
Konvertimet
Për konvertimin (kërkesë që paraqitet duke filluar nga ora 08:00 e 3 shkurtit 2011) e lejeve të qëndrimit për studim ose stazh në leje qëndrimi për punë të varur, plotësohet formulari përkatës. Nuk parashikohet mundësia e konvertimit të lejes së qëndrimit për studim apo stazh në punë të pavarur. E rëndësishme: Studentët jokomunitarë që kanë leje qëndrimi për studim e që janë diplomuar në Itali, qoftë në kursin e shkurtër universitar, ashtu dhe ata që kanë mbaruar ciklin e mëtejshëm të specializimit, nuk kanë nevojë të hyjnë në kuotat e flukseve dhe nuk duhet, pra, të paraqesin kërkesë për ekzistencën e kuotës. Për të konvertuar leje qëndrimin për studim në leje qëndrimi për punë të varur apo të pavarur, ata duhet të përpilojnë të tjerë formularë që gjejnë në faqet e internetit të Ministrisë së Brendshme italiane.
APLIKIMI
Datat e plotësimit të kërkesës online
31 janar
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin e punonjësve nga vendet që kanë lidhur marrëveshje me Italinë dhe që renditen në nenin 2 të dekretit të flukseve. Në këtë datë, punëdhënësit duhet të paraqesin kërkesat për 4500 shqiptarët me banim në Shqipëri që parashikon dekreti.
2 shkurt
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e kërkesave për punësimin si bashkëpunëtorë shtëpiakë të punonjësve nga vendet që nuk kanë marrëveshje me Italinë (sipas nenit 3 të dekretit).
3 shkurt
Nga ora 08:00 duhet të nisë paraqitja e të gjitha kërkesave të tjera të parashikuara në nenet 4, 5 dhe 6 të dekretit të flukseve. Me këtë sqarim bien edhe dyshimet mbi datën e paraqitjes së kërkesave për konvertim të lejeve të qëndrimit të imigrantëve me prejardhje nga vendet me kuota të rezervuara. Kërkesat për konvertimet duhet të paraqiten të gjitha më datë 3 shkurt 2011.
Punësimi i një punonjësi joshtëpiak
Për punësimin e një punonjësi të varur ligji nuk parashikon një parametër të caktuar dhe verifikimi i aftësisë ekonomike të ndërmarrjes i lihet “në dorë” zyrës që shqyrton kërkesat. Gjatë shqyrtimit, në fakt, vlerësohen një sërë faktorësh: numri i kërkesave të paraqitura; respektimi i kushteve të kontratës kolektive të punës së aplikuar për marrëdhënien e punës; kostot për pagat dhe kontributet e parashikuara nga normat në fuqi; nevojat e ndërmarrjes, të ardhurat e aktivitetit; xhiroja e ndërmarrjes; numri i punonjësve që punojnë atje etj. Nëse ndërmarrja është krijuar së afërmi dhe nuk ka paraqitur ende deklaratën e të ardhurave dhe bilancin, vlerësohen faktorë të tjerë, si për shembull hipotezat e faturimit apo gjendja kontabël, financiare apo ajo e pasurive.
Kushtet që duhet të plotësojë punonjësi
Për të hyrë në Itali, pasi merr autorizimin, punonjësi nuk duhet të jetë dëbuar përpara paraqitjes së kërkesës, ose nuk duhet të jetë dënuar për disa vepra të parashikuara nga teksti unik për emigracionin. Ndër këto vepra bëjnë pjesë: dënimet për favorizim të emigracionit ilegal, shfrytëzim i prostitucionit, shitja e lëndëve narkotike, shitja e mallrave të falsifikuara, rrëmbime, dëmtime.
Nesër do të lexoni:
1- Llojet e formularëve dhe mënyra e plotësimit
2- Përpilimi i kontratës së punës
7 Janar 2011