Bashkia e Tiranës, gati faza e dytë të punimeve në Sheshin “Skëndërbej”
Lizeta Duro
Bashkia e Tiranës po përgatitet për fillimin e punimeve për fazën e dytë të punimeve në Sheshin “Skënderbej”.Burimet nga kjo bashki bëjnë të ditur se projekti për sheshin është ndarë në 3 faza. Faza e parë përfshiu punimet nëntokësore të rrjeteve inxhinierike të reja apo spostimin e rrjeteve ekzistuese ndërsa faza e dytë ka si qëllim ndërtimin e platformave dhe bazamenteve, pra bëhet fjalë për shtresat e nevojshme të betonit që do të hidhen.
Kjo fazë sipas drejtorit të transportit në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija do të sjellë edhe bllokimin e kalimit përmes sheshit dhe devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë të tjera. Edhe pse për shkak të motit të keq dhe festave punimet kanë ecur me ritme të ngadalta tashmë financimet për fazën e dytë janë gati dhe priten të fillojnë së shpejti.
Akset
Sipas Punavijës do të lirohet aksi rrugor që lidh Qendrën më Stacionin e Trenit, (tek 15-katëshi), i cili ka qënë i bllokuar prej punimeve dhe do të bllokohet rruga tek xhamia. Automjetet do të devijojnë rrugë duke kaluar në rrugën pas bashkisë, tek hotel “Drini”, dhe do të vijohet tek bulevardi “Zhan d’Ark. “Kapaciteti është i mjaftueshëm për të përballur fluksin e trafikut, për të cilin duhet edhe edukata e qytetarëve. Natyrisht, edhe policia bashkiake dhe ajo e shtetit duhet të luajnë rolin e tyre”, u shpreh Punavija. Në këtë fazë do të ndërtohen gjithashtu edhe 2 galeri nëntokësore. Ndërtimi i galerisë nëntokësore lindje-perëndim dhe i galerisë nëntokësore veri-jug. Punimet në Sheshin “Skënderbej” kanë nisur në fund të muajit mars të vitit që lamë pas, ndërsa faza e dytë e punimeve pritet të zgjsë rreth 6 muaj. Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin Zogu i pranë Veve Center, do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së Bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me rrugën Myslym Shyri. Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me Unazën e Vogël. Në të dyja këto nën-objekte parashikohet të punohet paralelisht.
Projekti
Sipas projektit të studios belge “51N4E”, është parashikuar që qendra e sheshit “Skënderbej” të ngrihet në nivel, në formën e një piramide, nga kulmi i së cilës mund të shihet i gjithë sheshi. Brenda kësaj hapësire do të ndërtohen shatërvanë, ku uji do të jetë i ngjyrave dhe sasive të ndryshme. Ndërtesat ekzistuese nuk do të preken, por do të ndërhyhet tek Teatri i Operës dhe Baletit, ku do të ndërtohet një hyrje e re, me qëllim që t’i jepet më shumë jetë kësaj godine. Gjithashtu, do të ngrihen disa ndërtesa me lartësi të njëjtë, të cilat do të shërbejnë si qendra tregtare. Për sheshin “Skënderbej” u organizua dy vjet më parë një konkurs ndërkombëtar. Në garë ishin disa studio të huaja, ndërsa rezultoi fituese studioja belge.
Transporti publik do të ketë prioritet, ndaj është menduar që të ndërtohen korsi të caktuara vetëm për autobusët. Në projekt përfshihet edhe plani për këmbësorët. Është parashikuar ndalimi i qarkullimit të makinave, sheshi do të jetë i rrethuar nga një kurorë e gjelbër, që do të realizohet përmes pemëve të shumta. Bashkia e Tiranës do të sjellë risi në këtë shesh edhe infrastrukturën nëntokësore e cila do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara, në një shesh me shatërvanë të lartësive të ndryshme, ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. Sipas projektit, brenda sheshit do të ndërtohen kopshte, mjedise të hapura për aktivitete, bare dhe kafe.
Kremtohet në të gjithë Shqipërinë dita e ujit të bekuar
Kremtohet në të gjithë Shqipërinë dita e ujit të bekuar. Fillimisht besimtaret e krishterë kremtojnë në ceremoni fetare bekimin e ujit si dhe pirjen e tij për shërimin shpirtëror. Rit tjetër kryesor i ditës së djeshme ishte edhe hedhja e kryqit në ujë. Teologu Aleks Curri është shprehur dje se 6 janari është dita e pagëzimit të Krishtit. Krishti u pagëzua në lumin Jordan prej Johan Pagëzorit dhe në të gjitha kishat ortodokse të botës, besimtarët vijnë në kisha për të marr ujin e bekuar. “Në vende ku ka ujë, lumenj, dete, liqene, të rinjtë më të guximshëm do të zhyten në këto ujëra të ftohta për të kapur dhe kryqin", u shpreh Curri. Gjashtë janari në shkrimet fetare është edhe si festa e dritave, pasi Zoti është drita që u shfaq për shpëtimin e njerëzimit. Kjo e kremte nis që në datën 5 janar, kur kryhen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit. Hedhja e kryqit në ujë tregon bekimin e plotë të të gjithë ujërave sipas traditës së lartë të kishës dhe të mbarë njerëzimit.
Në këtë ditë bekohen të gjithë ujërat, lumenjtë liqenet dhe detrat në të gjithë botën. Kjo festë u festua në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korcë, Berat e Gjirokastër etj.
Rifillojnë reshjet e borës në jug, bllokohet Qafa e Llogarasë
Reshjet e borës që kanë rënë natën e së mërkurës në jug të vendit kanë krijuar probleme në lëvizshmërinë e automjeteve në Qafën e Llogarasë në Vlorë. Sipas burimeve të policisë trashësia e borës ka arritur deri në 20 cm dhe kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Situata pritet të përkeqësohet në akset rrugore në akset rrugore në jug dhe veri të vendit për shkak të krijimit të shtresave të akullit nga temperaturat e ulta të ditëve të fundit. Në veri të vendit probleme janë raportuar në komunat e Kukësit ku, për shkak të temperaturave të ulta dhe ngricave trashësia e akullit vazhdon të mbajë të izoluara disa komuna dhe të krijojë probleme në akset rrugore rurale dhe nacionale.
7 Janar 2011