E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria e panjohur” dhe marketingu shpëtojnë turizmin gjatë krizës



Shqipëria ende e pashkelur më parë dhe një marketing agresiv mbeten shpresa e vetme për një turizëm disi të suksesshëm gjatë vitit të krizës. Edhe këtë vit vendi ynë vazhdon të mbetet në qendër të destionacioneve turistike për shtetet perëndimore. Pas gazetës amerikane “USA Today” është edhe e përditshmja britanike “The Guardian” që e ka përfshirë bregdetin shqiptar, e veçanërisht Rivierën në destinacionet turistike për vitin 2009. Pikat e tjera në sektorin e turizmit nuk janë edhe aq favorizuese; standardet në shërbim dhe çmimet janë më të larta, ose në të njëjtin nivel me vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Kroacia, apo dhe Turqia. Kur pritet të ketë një ulje të ndjeshme të turistëve gjatë këtij viti, deri tani autoritetet shqiptare kanë përgatitur vetëm një spot publicitar në Euronews dhe në CNN.
Destinacioni
E përditshmja “Guardian” citon kryetarin e Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Britaninë e Madhe, Derek Moor, duke thënë se Shqipëria po kthehet në një destinacion të ri mesdhetar. “Ka shumë vende të pazbuluara në Europë dhe Shqipëria është pa dyshim një prej tyre, ku turizmi është në fazat e tij fillestare. Ka brigje ende të virgjëra që të lënë të mahnitur, si dhe shumë vendndodhje kulturore”, -thotë Moor.
Kjo gazetë rendit një sërë destinacionesh shqiptare ku agjencitë britanike do të drejtojnë turistët për vitin 2009, duke përfshirë: portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, i cili u ofron vizitorëve piketa historike shumë të rëndësishme, si dhe plazhin; Himarën, e cila lëvdohet për hapësirat me rërë të pashkelur. Përmendet gjithashtu edhe mundësia për të organizuar një vizitë të kombinuar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në fund të vitit të kaluar ishte “USA Today”, e përditshmja e njohur amerikane, e cila e futi vendin tonë ndër 10 destinacionet më të njohura turistike të botës; ky vlerësim bëhej duke u mbështetur edhe tek pasuritë e shumta arkeologjie.
Shpresë te marketingu profesional
Panairet dhe spotet publicitare në ekranet e njohura perëndimore konsiderohen si elemente të rëndësishme për nxitjen e turizmit këtë vit në Shqipëri. Slogani me të cilin vendi ynë do të përdorë për të ftuar turistët është Shqipëria, - “Dashuria e re e Mesdheut”. Agjencia Kombëtare e Turizmit ka paraqitur pasuritë turistike të Shqipërisë në disa panaire si ai i Londrës apo edhe i Berlinit. Po ashtu, është transmetuar një spot publicitar në rrjetin televiziv europian “Euronews”. Po përgatitet një tjetër spot për t’u transmetuar në mediat e Ballkanit.
Në kushtet e një krize ekonomike botërore, sektori i parë që goditet, si rregull, është ekonomia e shkëmbimeve turistike. Kështu që jashtë këtij rregulli nuk përjashtohet as Shqipëria. Gjatë vitit të kaluar, autoritetet shtetërore deklaruan shifrën prej 2.7 milionë turistësh. Operatorët vendas pohojnë se gjatë 2009-s pritet të ketë një ulje të numrit të turistëve, e cila mund të arrijë në masën 10 për qind, ndërsa vendet e rajonit do të kenë një ulje më të ndjeshme.

PRURJET TURISTIKE

Shqiptarë etnikë të Kosovës e Maqedonisë (500 000 turistë);
Emigrantë shqiptarë në vendet perëndimore (500 000 turistë);
Vizitorë të huaj 1-ditorë (Korfuzi dhe Mali i Zi) (150 000 turistë)
Turistë të huaj shumë ditorë nga vendet perëndimore (150 000);
Turistë nga vendet rajonale (100 000);
Turistë individualë (100 000)

Turizmi shqiptar në Panairin e Berlinit

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin edhe këtë vit ngjalli interesin e mjaft operatorëve turistikë dhe vizitorëve nga pothuaj e gjithë bota. Në këtë panair, ku ishin të pranishme mbi 250 vende, Shqipëria u prezantua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit. Stenda e vendosur në hapësirën rezervuar vendit tonë bazohej tek elementet arkeologjike të Butrintit, shkallët e teatrit antik dhe kolonat. Logoja e vendosur mbi stendë ishte “Albania a ne---ë/////// mediterane love”. Ndërkohë në dy banakët prej druri, të vendosur në anët hyrëse të stendës, 12 operatorë turistikë zhvilluan takime me biznesin dhe prezantuan materialet e tyre promocianale. Gjithashtu, të dhëna më të hollësishme për turizmin e ndryshëm, që zhvillohet në vendin tonë, shpërndau stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit përmes materialeve promocionale dhe informuese në gjuhën angleze. Resorset shqiptare u ndoqën edhe me anë të dy plazmave televizive: si spoti “40 hanet” dhe të tjera të prodhuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe të transmetuara në media të ndryshme. Por çka tërhoqi vëmendjen e vizitorëve ishin vallet popullore nga treva të ndryshme të Shqipërisë, që u performuan nga valltarët Hegla Saraci dhe Genc Kastrati.
Në ditën e fundit të Panairit të Turizmit në Berlin, media të ndryshme dhe sidomos ajo gjermane tregoi mjaft interes gjatë konferencës për shtyp. I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Gjermani, Gazmend Barbullushi, i bëri thirrje biznesit gjerman të investojë në Shqipëri. Për herë të parë në Panairin e Turizmit në Berlin mori pjesë edhe Kosova, shteti më i ri i Europës, duke iu bashkuar qindra kulturave e traditave, që e shndërruan Berlinin për disa ditë, qytetin e botës.

E. K.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›