E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së: “E shpall listën e kandidatëve vetëm kur të fillojë fushata”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se listat e kandidatëve për deputetë do të paraqiten 45 ditë para datës së zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, ky është edhe afati i fundit që partitë politike kanë mundësi të paraqesin listat me kandidatët e tyre për deputetë. Ai tha se listat do t’i paraqesë në kohën dhe në vendin e duhur para se të binte “gongu” për fushatën elektorale. Sipas kryetarit të PS-së, lista e kandidatëve nuk ishte shqetësimi i tij për momentin. Rama u shpreh se shqetësimi i tij janë lista e borxheve të qytetarëve dhe kriza që ka goditur biznesin në këtë periudhë. “Unë jam përditë e më i shqetësuar për listat e borxheve të qytetarëve në dyqanet ku duhet të blejnë ushqimin e përditshëm. Për listat e borxheve të sipërmarrjeve që kanë gjithmonë e më pak oksigjen për të reaguar në kushtet e një krize që po prek familjen shqiptare dhe sipërmarrjen shqiptare”,- tha Rama. Kreu socialist u shpreh se listat e ekipeve që do të përfaqësojnë PS-në dhe që do të përbëjnë shumicën e Parlamentit të nesërm janë lista që sot nuk janë ende në rendin e ditës për të.
Në lidhje me koalicionet, Rama deklaroi se ato janë një aspekt i procesit të përgatitjes së fushatës elektorale. Ky aspekt i formalizimit të koalicionit është pjesë e kalendarit të punës dhe aktivitetit paraelektoral të PS-së. Ai e quajti koalicionin e kryesuar nga PS-ja si koalicionin qeverisës së katër viteve të ardhshme. Rama u shpreh se formalizimi i këtij koalicioni do të bëhet në kohën e duhur. Kryetari i PS-së mohoi ekzistencën e një qeverie hije. Ai tha se nuk ka asnjë projekt të tillë në PS dhe as në sirtarin e tij të punës. “Qeveritë hije të PS-së janë pjesë e fantazisë së shitësve të gazetave dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla”, - tha Rama.

Të dhënat rreth programit qeverisës së Partisë Socialiste

Prioritetet:
Arsimi, si garanci për integrim dhe punësim.
Nxitja e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim.
Zhvillimi i fshati, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim.
Shëndetësia, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë.
Mjedisi, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit.
Turizmi, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin.
Kohezioni social e territorial i vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit
Programi nuk përmban rritjen e taksave
Përmbajtja: 7 çështje kryesore
1000 faqe
100 masa për reformimin e qeverisjes
Bashkëpunëtorët: Ekspertë të Partisë Socialiste, ekspertë europianë dhe amerikanë, Partia Socialiste Europiane, Partia Demokratike Italiane, Partia Socialdemokrate Gjermane, PASOK-u grek, Partia Socialiste Hungareze, Partia Socialiste Bullgare, Fondacioni “Fridrich Ebert”

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›