E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët e huaj në Shqipëri nga Korfuzi



Biletat super të shtrenjta të fluturimeve ajrore drejt Shqipërisë po i detyrojnë disa agjenci turistike perëndimore të përdorin Korfuzin si pikë transit drejt Shqipërisë së Jugut, bëhet e ditur nga media angleze. Disa kompani turistike angleze kanë përgatitur oferta për pushime të lira në Shqipëri, në kushtet kur kriza ekonomike ka goditur rëndë konkurrentët tanë mesdhetarë, ku çmimet e shërbimeve turistike janë shumë më të larta sesa në vendin tonë. Por, në të njëjtën kohë, biletat ajrore drejt Tiranës janë shumë më të shtrenjta, gjë që po kthehet në një problem serioz për industrinë turistike.
Nga kryeqytetet perëndimore për në Tiranë, një biletë avioni kushton minimalisht 350-400 euro, ndërkohë që udhëtimet drejt Korfuzit, Varnës (Bullgari) apo Konstancës (Rumani), kushtojnë jo më shumë se 200 euro. Biletat e udhëtimeve ajrore drejt Shqipërisë kushtojnë më shtrenjtë për shkak të mungesës së konkurrencës dhe taksave të larta aeroportuale. Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Europian marrëveshjen e qiejve të hapur, e cila duhej të sillte liberalizim të tregut të fluturimeve dhe ulje të çmimeve, por kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Vendet e tjera të Ballkanit si Rumania dhe Bullgaria po përfitojnë nga kjo marrëveshje. Zgjedhja e Korfuzit si pikë zbritjeje për turistët anglezë, i heq Shqipërisë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të turistëve.

E.K.

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›