E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Bushi: Ari Hani ka ende nevojë për mua

Kombëtarja është një privilegj, prej të cilit Alban Bushi nuk dëshiron të privohet.

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën kuqezi (14) nuk është pjesë e listës së lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren kundër Polonisë më 27 maj, por ‘Loku’ është i bindur se kjo është vetëm një zgjedhje provizore e holandezit, pasi ai do ta thërrasë sulmuesin sërish në përfaqësuese. “Ari Han ka nevojë për mua dhe jam i bindur se në ndeshjet pas Polonisë do të më thërrasë”, - tha Bushi në një intervistë për “Panorama”. - “Lënia jashtë? E prisja, pasi këtë sezon nuk kam qenë në formën time më të mirë. Padyshim që do të doja të isha i grumbulluar, por edhe nëse nuk jam, kjo nuk do të thotë se kam ikur përfundimisht. Jam i bindur se në ndeshjet e ardhshme trajneri do të më marrë në përfaqësuese, - thotë Bushi. - Përsa i përket moshës, ka vite që diskutohet për mua, por koha tregoi se kjo ishte një teori e gabuar. Sezonin e kaluar shënova shumë gola dhe isha në formë mjaft të mirë, aq sa e detyrova trajnerin Bariç të reflektonte dhe të më merrte në ekip, megjithëse edhe ai në ndeshjet e para më la jashtë. Unë jam i bindur në vetvete se vitin e ardhshëm do të shënoj sërish gola dhe do t’ia imponoj trajnerit që të më marrë në skuadër. Han ka nevojë për mua, pasi unë mund t’i shërbej akoma Kombëtares. Në ekip ka edhe sulmues të tjerë shumë të mirë, por me karakteristikat e mia ende nuk shoh ndonjë”, përfundoi Loku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›