E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthejnë legjionarët,“lumë” golash në Gjermani

Duket se pikërisht tani kur po i vjen fundi kampionatit gjerman, Edmond Kapllani ka vendosur që të “ndezë turbinat”.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare që është ftuar edhe për ndeshjen miqësore me Poloninë ka shënuar edhe golin e tij të dytë në Bundesliga në ndeshjen që skuadra e Karlsruhe e ka humbur me rezultatin 3-1 nga Herta Berlin. Kapllani ka shënuar në minutën e 53-të të ndeshjes duke ngushtuar përkohësisht disavantazhin e skuadrës së tij në 2-1, por gjithçka është bërë e pavlerë në minutën e 87-ë kur vendasit kanë shënuar edhe golin e tretë. Sulmuesi shqiptar është aktivizuar për 90 minuta në këtë takim.
Ky është goli i dytë i Edmond Kapllanit në kategorinë elite të futbollit gjerman pas atij të shënuar në javën e kaluar në portën e Verder Bremen. Kur kanë mbetur edhe tre javë deri në mbyllje të Bundesligës ai do të kërkojë që t’i bëjë të paktën një mbyllje të mirë një sezoni që ka lënë për të dëshiruar.
Debatik Curri - Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Debatik Curri realizoi golin e tij të pestë në kampionatin ukrainas dhe të gjashtin këtë sezon (1 në Kupë), teksa sërish ekzekutoi mjeshtërisht një penallti në minutën e fundit në ndeshjen që skuadra e tij Vorskla Poltava fitoi 2-0 kundër Metalurg Donjesk.
BLERIM RRUSTEMI- Lojtari i preferuar i Bariçit, Blerim Rrustemi (jo i thirrur nga Han në miqësoren kundër Polonsë), ishte edhe personazhi kryesor i ndeshjes Dinamo Drezden-Rot Vajs Erfuhrt (2-2). 25-vjeçari Rrustemi shënoi në minutën e 44-t (1-1), por e festoi edhe golin e parë sezonal me një karton të kuq në të 87’, tri minuta para se vendasit të barazonin rezultatin me anë të Bendovskit (90’).
Bekim KASTRATI- Ish-sulmuesi i Kombëtares, Bekim Kastrati realizoi një nga katër golat e Fortuna Dusedorf në fitoren 4-0 me amatorët e Borusia Dortmundit në Ligën Rajonale të Veriut. 29-vjeçari Kastrati, autor i tre golave në këtë sezon, realizoi golin e dytë takimit në minutën e 29-të.
Skerdilajd CURRI- Sulmuesi kavajas i Erzbegirge Aue, Skerdilajd Curri shënoi një nga dy golat e ekipit të tij në humbjen 4-2 me St. Paulin në ndeshjen e vlefshme për javën 31 të Bundesliga 2. Ish-lojtari i Partizanit (1995-1997) realizoi në minutën e 35-të. Për 32-vjeçari Curri ky ishte goli i tretë sezonal.
Elvis Kraja - Mbrojtësi shkodran, Elvis Kraja që luan te ukrainasit e Zakarpatit ka shënuar golin e vetëm dje (me penallti) të skuadrës së tij, në humbjen 4-1 me Dinamon e Kievit. Shkodrani është transferuar vetëm pak muaj më parë në Ukrainë, pasi u përjashtua mes polemikave nga drejtuesit e klubit të Vllaznisë për thyerje të disiplinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›