E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Artistët e famshëm modern”, bashkë në Zenit

Të gjithë janë të famshëm, të gjithë i përkasin shekullit të shkuar, janë vepra që publiku në mbarë botën i njeh mirë, por secili përfaqëson rryma të ndryshme në artin modern të pikturës.

Fillon nga Paul Çezzane, Pablo Pikaso, Vincent van Gogh, Henri Matisse, Marc Shagall, Andi Warhol, etj. Të gjithë vijnë në Shqipëri. Vijnë së bashku me veprat e tyre më eksplicite, më të dashura për publikun në një botim kompleks në formën e katalogut. Një botim luksoz i promovuar mbrëmjen e së premtes në galerinë “Zenit”, bashkë me dy botime të tjera të kësaj galerie. Vepra titullohet thjesht “Artistë të famshëm modern”, nga Çezane tek pop arti. Dhe nëpërmjet këtyre emrave në këtë vepër trajtohen gjithë rrymat që kanë përshkuar shekullin, si impresionizmi, ekspresionizmi, fovizmi, surealizmi e pop arti. Gjithmonë e më shumë një artist pikturon, ashtu sikundër edhe një gjeni i pabindur që pret inspirimin për ta rrëmbyer dhe përfshirë në procesin e një llokoçitjeje të tërbuar të ngjyrave. Ne i përfytyrojmë rrallë artistët si shpikës ose zbulues të mëdhenj. Në qoftë se do t’i hidhnim një sy fjalës “shpikje” në një fjalor, do të gjenim atje kuptimin e diçkaje të gjykuar e të vlerësuar nëpërmjet të menduarit, diçkaje origjinale që shfaqet nëpërmjet eksperimentimit, pra të një zbulimi. Piktorët e mëdhenj kanë bërë tamam këtë gjë. Ashtu si dhe shkencëtarët e mëdhenj, ata rrallë përftojnë kënaqësi nga shfaqja e gjërave apo e fenomeneve, ashtu si ato na paraqiten ose nga zbulimet që të tjerët kanë bërë. Ata vihen gjithnjë në kërkim të gjetjeve të mënyrave për të përmirësuar dhe avancuar konceptet dhe metodat e realizimit për ta përshkruar dhe paraqitur botën e vërtetë. “Që nga vendlindja e tij Lewis Carroll vuri re që ekzistonte një ndryshim midis emërtimit të një sendi dhe asaj se ç’është në të vërtetë vetë sendi. Historianët e artit, kritikët dhe ndonjëherë edhe vetë artistët na kanë dhënë mjaft emërtime llojesh të arteve si post-impresionizëm, fovizëm, surealizëm apo ekspresionizëm, të cilat në të vërtetë nuk zbulojnë mjaft rreth artit të pikturës dhe madje disa prej tyre na bëjnë të ndjehemi konfuz. Në këtë libër jam përpjekur që nëpërmjet përshkrimit të këtyre etiketimeve në një gjuhë të thjeshtë dhe më kuptimplotë të tregoj se ç’është arti në të vërtetë”, shkruan Charlotte Willard në këtë botim të përkthyer në shqip nga Vlashi Prifti. Sipas Willard fovizmi është përkthyer si “Triumfi i ngjyrës”, Ekspresionizmi si “Piktorë të cilët i dhanë liri emocioneve të tyre”, surealizmi si “Ëndrra dhe ankthe” dhe pop arti si “Piktura që sugjestionojnë lëvizje”. “Unë jam marrë, gjithashtu, me disa rrënjëzime psikologjike të artit modern, bazat emocionale të tyre si dhe marrëdhëniet me shkencën dhe zbulimet. Eksploroj trajtime apo tema të tjera në marrëdhëniet e artit modern me veprën dhe kohën në të cilën ai u krye”, thotë ai. Për “Shpikësit dhe Zbuluesit” si Cezanne-i, Picasso dhe Pollok, na tregohet për mënyrat e reja të shikimit prej tyre, të botës përreth. Ben Shahn dhe Andrew Wyeth na paraqesin atë çfarë ai e quan “Portreti i njeriut modern”, ndërsa Lèger dhe Lichtenstein përpiqen të pajtojnë “Artin me Makinën” (Mekanizimin). Këta artistë u ndeshën shpesh në epokën e tyre me një protestë violente nga një publik, i cili nuk qe i përgatitur të përballej me idetë dhe vizionet e tyre revolucionare. “Mbi të gjitha, qëllimi im ishte të eliminoja pengesat mes lexuesit dhe përfshirjes së tij me vetë pikturën. Unë u përpoqa që ta çliroja artin prej një gjuhe mistifikuese, që e rrethon me shpresën që ajo do të çojë në një shkallë më të lartë të të kuptuarit dhe të një ndjenje më të thellë të kënaqësisë që na jep piktura moderne” shton Willard. Ndërkohë, sipas Krenar Zejnos, i cili ka bërë edhe botimin e këtij libri në shqip, kjo vepër përmbledh artistët më të mirë të shekullit të kaluar, i cili ishte intensiv, sepse në të ndodhi një çarje e madhe midis klasikes dhe tradicionale e modernes”.

Te dhenat

Titulli:         Artistë të famshëm modern
Gjinia:     Katalog
Autor:     Charlote Willard
Përktheu:     Vlashi Prifti
Botuar:     “Zenit”
Faqe:         136
Çmimi:     1200 lekë/12 euro

Artistët

Cezzanne

Picasso

Pollock

Van Gogh

Gauguin

Matisse

Hofmann

Munch

De Kooning

Chagall

Klee

Magrite

Wyeth

Leger

Lichtenstein

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›