E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo fiton derbin, Partizani s’bën hapa fals

Derbi kryeqytetas Tirana-Dinamo mbyllet me rezultatin 1-2, ndërsa takimi i luajtur në Kavajë, Besa-Partizani është mbyllur në shifrat 0-1.

FATJON KODRA

Gjithçka sipas parashikimeve në javën e 30-të të Kategorisë Superiore. Fitore të kryesueseve në transfertë, të paralajmëruara nga media dhe sigurisht të realizuara në fushë. Sërish dy pikë diferencë midis dy rivalëve të mëdha për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se enigma do të zgjidhet në javën e 33-të. Kur dy favoritët do të përplasen në një 90-minutësh për “jetë a vdekje”. Partizani për të fituar titullin e 16-të pas 15-vjetësh pritje, Dinamo për t’i dhënë presidentit Besnik Sulaj trofeun e dytë, pas atij të fituar në Shkodër në javën e fundit ndaj Vllaznisë në sezonin 2001-2002.
Impenjimi në derbi
Fitorja e Dinamos ishte paralajmëruar, kur kundërshtari i shkurorëzuar e “kopjoi” stilin e saj. Ndryshimi i vetëm: Dinamo toleroi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë me Vllazninë (humbi 4-0, 3-0), ndërsa Tirana (finaliste e Kupës me shkodranët) toleroi në kampionat. Trajneri Mema ruajti titullarët për finalen e Kupës, më 7 maj në Elbasan. Në “Ruzhdi Bizhuta” gjykon gjyqtari i tretë më i mirë në botë, çeku Ljubos Mishel.
Dy penalltitë
Dy penallti të dhëna në Tirana-Dinamo, nga një për çdo skuadër, por ajo e ekzekutuar nga Kuli rezultoi edhe goditja fatale që prodhoi edhe fitoren e Dinamos, ndaj një formacioni të dorës së dytë të kampionëve në fuqi. Daniel Xhafaj goditi shtyllën në pingule në minutën 15-të duke paralajmëruar Kotorin, të cilin e mposhti 35 minuta më pas nga pika e bardhë, në të 50’, pas prekjes së topit me dorë nga kroati Goran Graniç. Ndërkaq, sulmuesi kroat Pero Pejiç realizoi një eurogol në të 60’ (1-1), për t’ia lënë radhën Bekim Kulit në minutën e 73-të. Shqiptaro-kroati Lekë Kçira preku topin me dorë pas një përpjekjeje aspak të koordinuar për të larguar topin nga zonë dhe gjyqtari Peza nuk hezitoi të akordonte penalltinë e dytë në këtë takim. Kavajasi Kuli, si gjithmonë i pagabueshëm: 1-2. Dinamo merr frymë dhe ruan kështu avantazhin e dy pikëve në vendin e parë.
Disfatat
Skuadra e Tiranës pësoi kështu humbjen e dytë rresht me të njëjtin rezultat në dy derbit me rivalët e përjetshëm: 2-1 me Partizanin në “Qemal Stafa” një javë më parë, dhe më të njëjtat shifra u mposht nga Dinamo në “Selman Stërmasi”, që morri revanshin ndaj humbjes së fazës së parë me shifrat 2-0. Në mes një barazim i thatë: 0-0.
Faktori Hallaçi
Skuadrës së Partizanit i mjaftoi një gol i mbrojtësit Rrahman Hallaçi që në pjesën e parë për të siguruar një tripikësh me shumë vlera. Mbrojtësi i majtë, pas një depërtimi në thellësi të mbrojtjes kavajase, goditi në mënyrë mjeshtërore diagonalisht topin, duke mposhtur portierin Dura dhe duke i siguruar avantazhin skuadrës së Likës. Të kuqtë e dominuan ndeshjen dhe këtë e tregojnë edhe dy shtyllat e goditura nga Bakaj dhe Abilaliaj në fund. Kavajasit shfaqën një lojë të vakët, duke mos treguar asgjë nga repertori i tyre, ndryshe nga javët e fundit.
Dëmtohet Sinani
Ka rezultuar fatale për ekipin shkodran takimi mes Vllaznisë e Skënderbeut. Kuqeblutë arritën një fitore në shifrat 2-1, që nuk i vlen për asgjë, ndërsa fatalja ka rezultuar në dëmtimin e sulmuesit kryesor të saj por edhe të gjithë kampionatit tonë Viresin Sinani. Autori i 21 golave në këtë sezon për Vllazninë, njëherësh i pari në listën golashënuesve, është dëmtuar rëndë në kavilje dhe mund të qëndrojë jashtë fushave për më shumë se 4 javësh. Gjë që do të thotë që goleadori të mos luajë në ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës të mërkurën. Në Elbasan, vendasit kanë mundur me rezultatin 3-0 Besëlidhjen në një takim pa shumë interes për renditjen, ndërsa në Vlorë, Flamurtari theu me rezultatin 1-0 Kastriotin. Në Peqin, Shkumbini nuk e toleroi Teutën që po lufton për mbijetesë, pasi e mundi me rezultatin e thellë 3-0.

Kategoria Superiore

Java e 30-të
TIRANA - DINAMO                 1 - 2
D. Xhafaj 50’ (p) / Pejiç 58’, Kuli 70’ (p)
BESA - PARTIZANI                 0 - 1
Hallaçi 27’   
VLLAZNIA - SKËNDERBEU             2 - 1
Sukaj 31’, Raboshta 87’ / Thana 48’
ELBASANI - BESËLIDHJA            3 - 0
Bejzade 10’, F. Xhafa 65’, Karçev 73’
SHKUMBINI - TEUTA             3 - 0
K. Dalipi 41’, Qorri 53’, Nora 86’
FLAMURTARI-KASTRIOTI             1 - 0
Mema 16’

RENDITJA
Ekipet     F    B    H    Golat        P
1. DINAMO           18    7    5    49-13        61
2. PARTIZANI        16    11    3    42-20        59
3. BESA    15    5    10    38-31        50
4. ELBASANI         12    11    7    32-19        47
5. TIRANA          13    7    10    43-32        46
6. VLLAZNIA    12    9    9    44-37        45
7. SHKUMBINI        12    8    10    31-26        44
8. FLAMURTARI       9    13    8    29-33        40
9. KASTRIOTI    9    5    16    20-36        32
10.TEUTA    8    7    15    26-38        31
11.BESËLIDHJA    7    7    16    26-48        28
12.SKËNDERBEU    3    2    25    24-71        11

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›