E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federer fiton turneun e tenisit ne Sinsinati ne SHBA

Jeta është me të vërtetë e çuditshme, ndaj edhe njeriu bën mirë të ketë shpresë në çdo situatë. E konfirmon këtë historia e legjendarit Rozher Federer, i cili jepej si i marrë fund dhe i dalë në pension deri 3 muaj më parë, ndërsa pikërisht sot, ndodhet më shumë se kurrë në krye të renditjes botërore.
Tenisti zviceran fitoi turneun ATP në Sinsinati të SHBA, duke i dhënë një leksion sportiv numrit 2 të botës, serbit Novak Gjokoviç. Dominimi i tij ishte i plotë në setin e parë të cilin e fitoi me një diferencë tronditëse 6-0 dhe në vetëm 20 minuta, ndërsa në të dytin Federerit iu desh të përballonte reagimin e Noles.
Përmes një lufte të ashpër, zvicerani fitoi setin e dytë 7-6 pas lojës vendimtare “taj brejk”. Kjo ishte fitorja e 16-të e tij ndaj Gjokoviçit që ka 12 fitore në 28 përballjet mes tyre.
Pas fitores në Uimbëlldon, Federer mori kryesimin e renditjes së meshkujve dhe ndonëse u mund në finalen olimpike nga Andi Marrej, sërish duket i paprekshëm. Ai fitoi turneun e 6-të ATP të vitit duke barazuar ndërkaq rekordin e Rafael Nadalit me 21 turne të tillë fituar në karrierë.
Pas finales në Ohajo, Federer u shpreh se luajti në nivel të lartë gjatë gjithë javës. “Kurrë nuk e humba shërbimin tim, - tha ai, - nuk kam sesi të jem më i lumtur se kaq. Nuk mund të shkonte më mirë, aq më shumë që erdha nga turnetë në fusha me bar dhe në finale munda një rival të madh si Novakun”.
Gjokoviç pranoi se Federer ishte tepër i fortë për të në Sinsinati. “Ai meritoi ta fitonte ndeshjen, - theksoi serbi me sportivitet, - ai luajti më mirë, ndërsa unë nuk i shfrytëzova shanset që m’u paraqitën. Pata mundësi ta fitoja setin e dytë, por nuk e bëra. Rozher e meritoi”.
Federer shkon si favorit në turneun e Çmimit të Madh “US Open”, ndërsa rivalë të tij do të jenë sërish Gjokoviç, por edhe Andi Marrej. Spanjolli Rafa Nadal, për fat të keq është i dëmtuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›