E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus fiton Berluskonin

Është i Juventusit trofeu “Luixhi Berluskoni” në edicionin e tij të 22-të. Kampionët e Italisë fituan 3-2 në stadiumin “San Siro” ndaj Milanit vendas duke pasur epërsi gjatë gjithë ndeshjes, ndonëse fillimisht u shtangën nga goditja e shpejtë e kuqezinjve.
Milani e nisi më mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi që në fillim me golin e Robinjos, dhe u duk se skuadra tepër e ndryshuar e Masimiliano Alegrit kishte nisur të krijonte një fytyrë të sajën.
Veçse, bardhezinjtë barazuan menjëherë me anë të Klaudio Markizios e dalë nga dalë morën frenat në duart e tyre.
Në fund të pjesës së parë, ishte Vidal që shënoi golin e dytë për Juventusin, ndonëse fillimisht u mendua që ai nuk do të luante titullar.
Në pjesën e dytë, “Zonja e Vjetër” vazhdoi të ishte superiore dhe e thelloi epërsinë me golin e realizuar nga Alesandro Matri, i futur në fushë si zëvendësues.
Robinjo shënoi edhe një gol tjetër për Milanin, këtë herë me penallti, por kjo nuk e shmangu humbjen e ekipit të tij. Ky ishte trofeu i 10-të “Luixhi Berluskoni” fituar nga Juventusi, ndërsa Milani ka fituar 12 herë.
Kampionët e Italisë treguan se janë në formë dhe se do të jenë favoritë për ta fituar sërish titullin këtë sezon, ndërsa kuqezinjtë ndodhen në një moment shumë të vështirë.
Largimi i lojtarëve më të mirë dhe me më shumë përvojë ka bërë që skuadra të nisë të ndërtohet nga e para.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›