Alban Rexha në gjyq: Qëllova me armë, por jo drejt policisë
TIRANE - Alban Rexha pranoi dje në Gjykatën për Krimet e Rënda se natën e 29 dhjetorit 2009 kishte shtënë me armë në ajër. Por, sipas tij, kjo nuk kishte aspak lidhje me policët e një patrulle pranë tyre. Ish futbollisti dhe personazhi i shumëpërfolur i "Kafazit të artë" me nofkën "ujku", dha dje versionin e tij para togave të zeza në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tij. Referuar rrethanave dhe pretendimeve të palëve, gjykata vlerësoi si të paligjshëm arrestimin e Rexhës, ndërsa caktoi për të masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Nga ana e Prokurorisë, Rexha akuzohet si një nga katër personat e përfshirë në një shkëmbim zjarri me forcat e rendit ditët e fundit të vitit në zonën e Selitës, në Tiranë. Alban Rexha u paraqit dje te Krimet e Rënda aty ku tre ditë me parë e arrestuan "çuditshëm" teksa kishte shkuar të vetëdorëzohej. Burime brenda seancës, sqaruan se Rexha pranoi të kishte qëlluar me armë. "Kam qëlluar në kushte të vetëmbrojtjes. Kam qëlluar në ajër, aspak në drejtim të punonjësve të policisë. Shokët e mi ishin të pranishëm në makinë me mua, po ata nuk kanë aspak lidhje me këtë", mësohet të ketë thënë Rexha. "Ndaj edhe u vetëdorëzova, për të ndihmuar Prokurorinë në hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e së vërtetës", ka vijuar Rexha. Gjykata pranoi dje kërkesën e mbrojtësve ligjorë të Rexhës, për vlerësimin e jashtëligjshëm të arrestimit të klientit të tyre. Si masë sigurimi personal, gjykata vendosi lënien e tij në burg pa afat, deri në përfundim të hetimeve. Alban Rexha akuzohet për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje", "kundërshtimit me dhunë të punonjësit të rendit" dhe "kanosjes". Pas ngjarjes së 29 dhjetorit 2009, policia arrestoi si autorë të saj P. Serjanin, S. Mejdanin dhe E. Gegën. I identifikuar si "i katërti" i përfshirë, Alban Rexha u shpall në kërkim policor dhe për të u lëshua një urdhër arresti. Për më shumë se një muaj e gjysmë policia nuk mundi të gjejë Rexhën dhe të ekzekutojë urdhër-arrestin. Katër ditë më parë, pasi kishin komunikuar me prokurorin e çështjes, avokatët sollën Rexhën për t'u vetëdorëzuar. Ende pa kontaktuar me prokurorin në ambientet e përbashkëta të Prokurorisë dhe Gjykatës për Krimet e Rënda, policia prangosi "të kërkuarin".