Hidhen nga pallati, vdesin dy gra
Hidhet nga kati i gjashtë, vdes 35-vjeçarja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, kur 35-vjeçarja, Shqipe Mustafa është hedhur nga ballkoni i banesës së saj që ndodhet në një pallat, në katin e gjashtë në rrugën "Don Bosko" në Tiranë. Policia e kryeqytetit, e cila mbërriti me të shpejtë në vendngjarje, pohoi se 35-vjeçarja është gjetur e vdekur përtokë pasi kishte pësuar dëmtime të rënda në trup dhe në kokë. Sipas bluve të kryeqytetit viktima para se të hidhej nga ballkoni kishte qenë në shtëpi me kunatën dhe djalin tre vjeçar, të cilët janë pyetur rreth ngjarjes. Mësohet se kunata e ka pasur të pamundur ta ndalonte 35-vjeçaren nga kryerja e aktit vetëflijues. Më pas është marrë në pyetje nga hetuesit edhe bashkëshorti i 35-vjeçares, i cili ka pohuar se nuk ka pasur probleme në familje apo mosmarrëveshje me të shoqen. Madje ai u ka thënë policëve që nuk është konfliktuar asnjëherë me bashkëshorten dhe se kurrë nuk kanë pasur mosmarrëveshje me të. Kjo e ka bërë shumë të vështirë hetimin për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së rëndë, ndërsa mësohet se tashmë ka nisur hetimi rreth kësaj çështjeje. Policia është angazhuar dje në mbrëmje për pyetjen e të afërmeve të familjes dhe fqinjëve për të sqaruar nëse ajo ka pasur apo jo probleme mendore, të cilat mund ta shtynin drejt aktit ekstrem ndaj vetvetes. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme është shënuar edhe një rast tjetër vetëvrasje në rrethana të ngjashme i një gruaje te Rruga e Kavajës. Sipas policisë, një 39-vjeçare që vuante nga depresioni i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i banesës së saj, në katin e katërt të një pallati të vjetër në Rrugën e Kavajës. Viktima quhet Albana Vreto dhe është me origjinë nga qyteti i Korçës. Ajo jetonte së bashku me familjen në këtë banesë, ndërsa dyshohet se vuante nga depresioni mendor. Mbrëmjen e djeshme, teksa nuk kishte asnjë familjar në shtëpi ajo ka dalë në ballkon dhe është hedhur që andej në asfaltin përpara pallatit, duke i dhënë fund jetës. Policia e kryeqytetit e njoftuar për ngjarjen nga banorët e lagjes pohoi se 39-vjeçarja ishte nënë e dy fëmijëve, ndërsa shkaku që e detyroi t'i jepte fund jetës ishte një krizë e rëndë e depresionit që kishte kaluar ditët e fundit. Pas mbërritjes në vendngjarje policia ka nisur pyetjen e dëshmitarëve okularë, të cilët kanë sqaruar se 39-vjeçarja është parë të dilte në ballkon dhe prej andej është hedhur pa hezituar. Policia pohoi se ndoshta ajo e kishte planifikuar më parë vetëvrasjen, pasi ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk kishte asnjë njeri që mund ta ndalonte. e.d/f.m