Berisha: Ju rrëfej negociatat me Ramën
ADI SHKEMBI
Shtatë ditë pas tryezës në Presidencë, në prani të kreut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kryeministri Berisha zbardh debatin për hapjen e kutive me kreun e opozitës Edi Rama. Në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar demokrat, Kryeministri foli për herë të parë edhe për dy propozimet e socialistëve për ngritjen e një komisioni hetimor dhe disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore, por pa thënë se cili do të jetë qëndrimi i maxhorancës lidhur me to. “Siç jeni në dijeni, Partia Socialiste ka sjellë në Parlament dy nisma legjitime parlamentare. Njëra është ligjore dhe tjetra është për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentark në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, në përputhje me të drejtën që kanë dhe me ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare. Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Mesa di unë, Kryetarja e Parlamentit do të njoftonte udhëheqësin e Partisë Socialiste për këtë”, theksoi Berisha.
Debati me Ramën
Duke iu rikthyer tryezës së 22 shkurtit, në zyrën e kreut të shtetit, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Mevlüt çavusoglu, Berisha tregoi dy propozimet që iu bënë Ramës për gjetjen e kompromisit, por që në fund kreu i opozitës nuk i pranoi. “Si Komitetit Presidencial, ashtu edhe ndërmjetësit e mëparshëm, të një profili të lartë, u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova, dhe që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së Shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e Ekzekutivit. Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht, kjo nuk u pranua nga zoti Rama”, theksoi Kryeministri. Propozimi i dytë për opozitën në tryezën e kreut të Shtetit ishte që ajo që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e kërkesës së saj për hapjen e kutive të votimit. Berisha tha se debatoi me kreun e PS-së për njërën prej pikave të vendimit të Kushtetueses, e interpretuar nga Rama si një e drejtë e opozitës për hapjen e kutive të votimit. “Atëherë u sugjerua dhe unë u shpreha i gatshëm që gjykata, në vullnetin e saj të pavarur, sepse nuk mund t’i imponohet absolutisht, t’i kërkoja një “amicus curiae” Komisionit të Venecias. Kjo nuk u pranua, prandaj dhe po bëj një sqarim për të gjithë shqiptarët, një sqarim për socialistët, se në rast se ata hynë në Parlament pa marrëveshje, jo se unë nuk dëshmova një vullnet të plotë për marrëveshjen”, theksoi më tej kreu i maxhorancës. Deklarimi i djeshëm lidhur me tryezën e thirrur nga kreu i shtetit, ishte i pari që Berisha bënte publikisht. I pyetur disa herë në intervista televizive apo deklarime para mediave, kreu i Qeverisë tha se ajo ishte një bisedë konfidenciale dhe nuk mund të jepte detaje të tjera. Por dje para deputetëve demokratë, ai theksoi se ishte i detyruar të bënte këtë sqarim pas akuzave të ardhura nga selia rozë se PS-ja hyri në Kuvend sepse maxhoranca nuk ofroi asnjë marrëveshje.
Leskaj: Berisha po shpërfill ofertën e PS
Deputetja socialiste Valentina Leskaj e cilësoi shpërfillës qëndrimin e Kryeministrit Berisha për dy amendimet ligjore të socialistëve. Sipas saj, trajtimi në rutinën e kalendarit të Parlamentit është tregues i mungesës së vullnetit të maxhorancës për zgjidhjen e krizës sipas socialistëve. Nëse Berisha nuk hap kutitë, do të përballet me popullin opozitar, tha Leskaj, në një konferencë për shtyp, dje në selinë e PS-së. “Askush nuk duhet të ketë frikë nga transparenca. Këshilla jonë për Sali Berishën është se herët a vonë, ai duhet të gjejë kurajën ta përballojë këtë frikë. Ai duhet të gjejë kurajën të përballet publikisht me të vërtetën për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në rast të kundërt do të përballet me popullin opozitar” tha Leskaj.