Projektligjet e PS për hetimin e zgjedhjeve, Topalli fton Ramën
Bledar Hoti
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i drejtohet me anë të një letre liderit të PS-së, Edi Rama, ku i kërkohet të paraqesë përfaqësuesin socialist në mbledhjen e sotme të Konferencës, pasi do të shqyrtohen dy nismat e opozitës për krijimin e komisionit hetimor. Në letrën drejtuar kryesocialistit, Topalli bën të ditur se në zbatim të nenit 7 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, do të mbledhë konferencën e kryetarëve për të diskutuar mbi nismën e PS-së për krijimin e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Në mbështetje të nenit 7, të ligjit nr.8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, kam vendosur të thërras mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ditën e martë, datë 2 mars 2010, ora 13:00, për të diskutuar mbi kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste. Sipas nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve përbëhet nga kryetarët e grupeve parlamentare. Për sa më sipër do të dëshiroja pjesëmarrjen e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste në mbledhjen e sipërcituar të Konferencës së Kryetarëve”, i shkruan Topalli, Ramës. Në bazë të nenit 7, ligjit për krijimin e komisioneve hetimore, Kryetarja e Kuvendit brenda pesë ditëve nga paraqitja e kërkesës së një grupi deputetësh duhet të mbledhë Byronë, tashmë Konferencë e krerëve të grupeve parlamentare për ta diskutuar. Gjithashtu konferenca diskuton dhe përbërjen e komisionit dhe caktimin e datës për miratim në seancën parlamentare. “Kur Byroja e Kuvendit nuk arrin të përcaktojë elementet e mësipërme me konsensus, atëherë këto çështje i adresohen seancës plenare, e cila vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm. Kërkesa paraqitet për miratim në seancën plenare më të afërt, por jo më vonë se 15 ditë nga data e mbledhjes së Byrosë të Kuvendit”, thuhet në pikat 2 dhe 3 të nenit 7 të ligjit. Ndërsa brenda 7 ditëve nga miratimi i vendimit, komisioni fillon punën. Kryetari i Kuvendit, menjëherë pas marrjes së vendimit për ngritjen e komisionit, cakton mjediset dhe mjetet e punës së komisionit, si dhe personelin e nevojshëm. Në çdo rast komisionit i vihet në dispozicion eksperti jurist. Opozita depozitoi të premten zyrtarisht kërkesën me firmat e 35 deputetëve për krijimin e komisionit hetimor. Që nga kjo ditë, kushti prej 5 ditësh si afat ligjor plotësohet pikërisht ditën e martë.