KiE: Partitë, pjesëmarrje e vazhdueshme në Parlament
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çavusoglu, përshëndeti dje kthimin e opozitës në Parlament, duke e vlerësuar atë si një sinjal të rëndësishëm politik. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës thuhet se “megjithatë, shpresoj me forcë që ky hap pozitiv të mos mbetet në nivelin e një hapi të vetëm, por të shënojë fillimin e një pjesëmarrjeje të vazhdueshme të të gjithë forcave politike në punimet e Parlamentit”. Sipas tij “për më tepër jam i kënaqur nga ky zhvillim, duke qenë se vijon pas vizitës së Komitetit Presidencial të AKPE-së në vend, i cili synonte të mbështeste procesin e zgjidhjes të situatës aktuale politike dhe të asistonte Presidentin Topi në rolin e tij si ndërmjetës dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik”. Kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës inkurajoi në të njëjtën kohë liderët, si të Partisë Socialiste edhe Partisë Demokratike, që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të nxitur dhe fuqizuar dialogun politik në vend. “Dialogu parlamentar është i një rëndësie të veçantë për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore, dhe jetësor për reformat të cilat duhen trajtuar pa vonesë,” theksoi çavusoglu. Ndërkohë një zëdhënës i ambasadës amerikane në Tiranë tha për gazetën “Panorama se “Ne mirëpresim kthimin e PS-së në Parlament si një hap pozitiv për zgjidhjen e impasit politik në Shqipëri”. “Shpresojmë se do të shërbejë si një element kyç për të sjellë kthimin e përhershëm të PS-së në Parlament. Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë dialogun me qëllim zgjidhjen e ngerçit dhe përshëndesim rolin e Presidentit Topi në çuarjen përpara të dialogut. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhenden Euro-Atlantike të Shqipërisë”, e mbylli deklaratën zëdhënësi i ambasadës së SHBA.