Gjirokastër, Spahiu: Të dënohen vjedhjet e trafiku
GJIROKASTER - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu u kërkoi dje gjykatave në qytetin e Gjirokastrës, të ashpërsojnë politikën penale me dënimin e krimeve të vjedhjes dhe kalimit të paligjshëm të kufirit. Spahiu ishte i pranishëm në analizën e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit të Gjirokastrës për vitin 2009, ku u konstatua se kalimi i paligjshëm i kufirit dhe vjedhjet, janë krimet më problematike për këtë qytet. Nisur nga ky fakt, nënkryetari i KLD-së kërkoi nga gjykatat ashpërsimin e dënimeve për këto dy vepra penale me qëllim parandalimin e tyre. Nënkryetari i KLD kërkoi në analizë që vendimet e gjykatave të jenë të bazuara dhe të argumentuara, duke mos lënë kështu të papërcaktuara politikat penale. Sipas Spahiut, vendimet e dhëna jo në interes të ligjit, përbëjnë probleme madhore për KLD. Zyrtari i KLD-së, bëri me dije se në sistemin gjyqësor, sot ekzistojnë tri probleme shqetësuese duke renditur së pari mangësitë e theksuara në infrastrukturë, ku përfshihet logjistika dhe infrastruktura financiare, e cila sipas Spahiut ka lidhje direkte me buxhetin për gjykatat në rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës. Shqetësimi tjetër i ngritur nga Spahiu, lidhet me çështjet e paevidentuara, të cilat lidhen me divergjencat juridike që kanë mes tyre Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit. Në lidhje me këtë, nënkryetari i KLD-së kërkoi ndjekjen e shembullit të qytetit të Shkodrës, ku Gjykata e Faktit dhe Apelit në mënyrë periodike ezaurojnë rastet e qëndrimeve të ndryshme që kanë mbajtur për çështje të ngjashme. p.n