E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Ylli: “Hyrja e gripit të derrit në Shqipëri, e sigurt”



Autoritetet shëndetësore pohojnë se edhe Shqipëria do të preket nga virusi i gripit të derrit. Ata konfirmojnë se përhapja e virusit është e pashmangshme. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, shprehet se tashmë që të gjithë vendet fqinje janë të prekur nga virusi, vendi ynë nuk mund të bëjë përjashtim. Por, ai kërkon të ndërgjegjësojë qytetarët, që në rastet kur të vërejnë shenjat e para të drejtohen menjëherë në spitale. Ylli, pranon se shërbimet shëndetësore në pikat kufitare mund të neglizhojnë, pavarësisht direktivave që u janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë. “Është e sigurt hyrja e virusit të gripit në Shqipëri. Përpjekjet tona janë përqendruar në kapjen e rasteve sa më parë dhe parandalimin e komplikacioneve”,- u shpreh Drejtori i ISHP-së. Ndërkohë që në Greqi, konfirmohet rasti i tretë i një Shqiptareje të prekur nga ky virus. Specialistët e mjekësisë greke deklarojnë se ndodhen përpara një pandemie në vend. Shumica e personave të prekur janë turistë të huaj që vizitojnë Greqinë. Ditën e djeshme, laboratori i Greqisë së jugut ka deklaruar 22 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i pacientëve me gripin A ka shkuar në 187, prej të cilëve 87 janë shëruar plotësisht. Sipas listës së publikuar nga Ministria greke e Shëndetësisë, bëhet fjalë për infektimin e një gruaje shqiptare 36 vjeçe dhe një djali 17 vjeçar, të cilët ende nuk dihet se si e kanë marrë virusin. Kështu, numri i shtetasve shqiptarë të infektuar me virusin H1N1 ka shkuar në tre, brenda një jave.
Ndërkohë që ardhja e emigrantëve në vendin tonë, po shtohet përditë e më shumë. ISHP-ja deklaroi se në të gjitha pikat kufitare janë ngritur struktura të posaçme për të identifikuar rastet e mundshme me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit A H1 N1. Madje inspektorët paguhen me orë shtesë me qëllim që ky shërbim të ofrohet 24 orë. Por, udhëtarët që kthehen nga vendet e huaja për në Shqipëri, nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, shprehen se askush nuk i ka pyetur për gjendjen e tyre shëndetësore apo se nga cilët vende vijnë. Ndërkohë që në vendet e huaja, janë pyetur për gjendjen shëndetësore që ka lidhje me virusin.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›