E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton një fond të posaçëm për të sëmurët me HIVAIDS dhe Tuberkuloz



Qeveria miratoi një fond të posaçëm për të sëmurët me HIVAIDS dhe Tuberkuloz, për programet që do të realizohen në luftën kundër këtyre sëmundjeve. Nëpërmjet fondeve do të mundësohet mbrojtja e personave në nevojë, që janë të prekur nga këto sëmundje dhe kërkojnë një kurim të vazhdueshëm. Kështu, qeveria miratoi e marrëveshjen e grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Global, për programin “Fuqizimi i përgjigjes kombëtare të Shqipërisë ndaj HIV/AIDS, për grupet e pambrojtura”, për programin “Përshkallëzimi i përgjigjes kombëtare ndaj tuberkulozit”. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se rreth 500 persona janë të prekur nga sëmundja e shekullit HIVAIDS, në vendin tonë.
Ndërsa rreth 420 persona në vit rezultojnë të prekur nga sëmundja e tuberkulozit. Specialistët shprehen se sëmundja e tuberkulozit është një infeksion që gjen përhapje të madhe në shtresat e varfra, te të pastrehët, të burgosurit, të kequshqyerit etj. Ky është edhe faktori që e bën këtë patologji një sfidë të vështirë për shëndetësinë, për të identifikuar dhe kuruar në kohë të prekurit. Nëse kurimi i pacientit nuk bëhet që në fazat e para kur identifikohet sëmundja, atëherë përbën rrezik për të humbur jetën. MSH-ja bën të ditur se 0,5 për qind e pacientëve që preken nga sëmundja humbasin jetën. Specialistët sqarojnë se pavarësisht mjekimit që ekziston dhe mundësisë së madhe për shërim, vështirësia për të parandaluar përhapjen te shtresat vulnerabël është e vështirë. Mjekët thonë se vaksina që kryhet kundër tuberkulozit parandalon vetëm format e rënda të sëmundjes, por nuk e bën individin tërësisht imun ndaj saj. Tuberkulozi është një sëmundje infektive, që prek, përveç mushkërive, edhe cipat e trurit, kockat e organe të tjera. Kushtet e vështira të jetesës janë një faktor favorizues në përhapjen e sëmundjes së tuberkulozit. Në mungesë të mjekimit me medikamentet e duhura dhe në kohëzgjatjen e duhur, tuberkulozi mund të shkaktojë vdekje. Në Shqipëri regjistrohen 13 raste të reja për 100 000 banorë. Në dy dekadat e fundit prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje, nga 20 raste të reja për 100 000 banorë që ka qenë më parë, ku afërisht llogaritet me 653 raste.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›