Albana Vokshi: Edi Rama, je shpirtkatil, ke fut në grevë nëna me fëmijë
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, reagoi dje ndaj dhunës së ashpër që kryesocialisti Edi Rama vazhdon të ushtrojë ndaj grave socialiste, të cilat i ka mbyllur në një ‘burg’ të sajuar në qendër të Tiranës.
Sipas deputetes Vokshi, me këto akte çnjerëzore Rama u faktua si një shpirt katil, duke mos njohur vlerat më të shtrenjta familjare.
“Kam dalë këtu jo si politikane, por do të flas si nënë, me dy fëmijë të vegjël që janë për mua mendimi i parë tek zgjohem dhe mendimi i fundit i ditës. Z. Rama, je i vetmi njeri në botë, por edhe si kryetar Partie, që fut në grevë urie nëna me fëmijë. Z. Rama, nënat me fëmijë nuk futen në grevë urie. A mendon t’i z. Rama, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe një çast çfarë drame përjetojnë fëmijët e këtyre nënave? Ti Z. Rama nuk mund të kuptosh çfarë do të thotë përkujdesje dhe përgjegjësi për fëmijët. Vetëm ne nënat e dimë. Z. Rama, fëmija është gjëja më e shtrenjtë për çdo nënë në botë, prandaj asnjë nënë nuk ta fal ty dramën që po përjetojnë fëmijët e tyre”, u shpreh Vokshi.
Sipas saj, ata fëmijë që shohin nënat në burgun e rrugës po terrorizohen, duke shtuar se ata nuk kanë për t’ja falur këtë Edi Ramës.
“Nuk gjej dot emër tjetër për ty - Katil. Z. Rama mos i detyro nënat të thonë atë që nuk ndjejnë. Mos i mbaj nënat në burgun tënd të rrugës. Rama futja e nënave në grevë urie është e pafalshme. Vetëm ti mban përgjegjësi për jetën e tyre”, deklaroi më tej, deputetja demokrate.