Vendimet e gjykatave, të panegociueshme - protesta është vlerë e demokracisë
Deklaron kryeministri Sali Berisha: “Fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë”
Kryeministri i vendit Sali Berisha, shprehet edhe njëherë se nuk do të ketë asnjë tentativë për të anashkaluar vendimet e gjykatave, përsa i zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Berisha shprehur ndjeshmërinë e tij për grevistët, por theksoi se kurrsesi nuk ka ligj që detyron kryeministrin të dalë mbi një pushtet të pavarur siç është gjyqësori.
“Unë për grevën e urisë kam vetëm një koment: në një anë fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë. Dhe unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese. Së dyti natyrisht shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t’ia kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij. Sikundër më duhet të them edhe një herë se Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh”, u shpreh kryeministri Berisha.
Këto komente, kreu i qeverisë i bëri pas homazheve të zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit. Në këtë drejtim, Berisha tha se kombi përulet me nderimin më të madh, respektin më të thellë para sakrificës sublime, flijimit të bijve dhe bijave të tij më të mirë për çështjen e lirisë, dinjitetit kombëtar.
“Shqiptarët nderojnë të rënët e të gjitha kohërave, çmimin e madh, ndoshta më të madh se çdo komb tjetër, që ata kanë paguar për liri dhe dinjitet. Nderimi i madh sot është për familjet e tyre, njerëzit më të dashur të të cilëve ranë për t’u bërë të pavdekshëm, ranë që ne të jemi të lirë. Por sot është një ditë meditimi për lirinë dhe për të gjithë ata për të cilët liria është një pasion i madh, kanë arsye që të vlerësojnë kontributin e vet, kanë arsye të ndjehen të lehtësuar për sakrificën e jashtëzakonshme që është bërë për të qenë të lirë. Ne nderojmë sot të rënët e kombit, nderojmë lirinë, si një vend më i lirë se kurrë në historinë e tij, si një vend i cili po ndërton idealin demokratik dhe idealin e lirisë, në një rrugë të sigurt”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Më tej, Berisha tha se ky vit e gjen Shqipërinë pakrahasimisht më afër ndërtimit të idealeve evropiane. “Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të lira në historinë e vendit, zgjedhje të lira dhe të ndershme; këtë vit ne si komb duhet të ndjehemi krenar sepse 27 qeveritë e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian vendosën për Shqipërinë dhe shqiptarët të hapin dyert për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian; këtë vit Komisionin Evropian i dorëzoi Shqipërisë pyetësorin me 2284 pyetje. Autoritete shqiptare dorëzuan tri javë më parë në Bruksel përgjigjet apo librin më të madh të shkruar ndonjëherë në historinë e këtij vendi për të vërtetat, politike ekonomike, shoqërore të shoqërisë shqiptare. Por liria është ajo që bëri apo standardet e saj, bënë gjithashtu që ekonomia jo e madhe e një vendi që 20 vjet më parë ishte në kolaps të plotë ekonomik, i rrokullisur në radhët më të fundit të zhvillimit ekonomik në planet, të qëndrojë më mirë se çdo ekonomi tjetër përballë cunamit të madh ekonomik dhe financiar botëror. Sot kemi shumë arsye për të nderuar me krenari, jetën dhe veprën e atyre që u flijuan, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, por që dhe me sakrificën e tyre ndërtuan themelet e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur”, deklaroi më tej, kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha.