Mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj dhunës së Edi Ramës
Dhunimi i gazetarit të TVSH, reagon PD
Partia Demokratike reagoi dje, ndaj dhunës brutale të ushtruar ndaj gazetarit të TVSH-së dje në protestën e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Zëdhënësja e selisë blu Erla Mëhilli dënoi ashpër aktin, sipas saj mizor, që Rama u faturon përfaqësuesve të medias së lirë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, kërkoi nga mediat të ngrejnë zërin e protestës ndaj kësaj dhune vulgare të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij. “Dje bodyguardët e Partisë Socialiste, në nderim të ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, keqtrajtuan dhe nxorën me forcë jashtë konferencës së tyre për shtyp gazetarin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, si një dëshmi e qëndrimit brutal ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën. Hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj Radio Televizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin dhe valët e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës për vuajtjen që zoti Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që Edvin Kristaq Rama është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit. PD nuk habitet aspak me këtë qëndrim të zotit Rama por fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.