Albana Vokshi: Kodi i ri Zgjedhor të përcaktojë kuotën e grave në politikë

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas të Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u bëri thirrje institucioneve që të respektojnë kuotën e përfaqësimit të grave dhe vajzave në vendimmarrje dhe në politikë. Duke përforcuar deklaratat për avancimin e Barazisë Gjinore, Vokshi konfirmoi se deputetët e parlamentit po influencojnë edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në Kodin e ri elektoral të përcaktohet zbatimi i kuotave të grave në politikë. Deputetja Vokshi tha se në zgjedhjet vendore 2011, Partia Demokratike respektoi kuotën e pjesëmarrjes së grave në këshillat komunalë dhe bashkiakë, në dyfishin e zonave, krahasuar me kundërshtarët politikë, të cilët renditen të fundit në listën e partive që zbatuan kuotën gjinore. Deklaratat e Vokshit u bënë në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Pogradec, ku u theksua vëmendja e mazhorancës qeverisëse, drejtuar nga Kryeministri Berisha për miratimin e politikave gjinore duke vënë në qendër kujdesin për gruan dhe fëmijët. Punimet e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, Pogradec u ndoqën nga afër nga deputetet e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli dhe Ledina Aliolli si dhe drejtues të strukturave lokale të PD-së. Në kuvend u votua për forumet drejtuese nga ku kryetare e LDG Pogradec u zgjodh arsimtarja, aktualisht drejtore e Drejtorisë Arsimore, Eva Çollaku. Kuvendi i zhvilluar në Pogradec është renditur i 25, ndër kuvendet e zhvilluara në të gjithë vendin në kuadër të riorganizimit të strukturave të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë.
...