E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albana Vokshi: Në qeverisjen e PD-së, asnjë qytetar nën minimumin jetik



Kandidatja e Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Albana Vokshi, deklaroi dje gjatë debatit televizion në “Top Channel”, se në mandatin e dytë qeverisës së Partisë Demokratike, asnjë qytetar shqiptar nuk do të jetojë nën minimumin jetik. Duke qëndruar përballë dy kandidatëve të PS-së, Blendi Klosi dhe Rudina Seseri, Vokshi tha se ky premtim i PD-së është tërësisht i realizueshëm, pasi sipas saj, PD tregoi këtë vullnet në mandatin e parë. Ajo tha se raportet e Bankës Botërore, PNUD dhe INSTAT, tregojnë se në sajë të reformave të qeverisë, dolën nga varfëria 400 mijë qytetarë shqiptarë. “Në Qarkun e Durrësit papunësia aktualisht është 9.6 për qind dhe ka vetëm 5 mijë persona të papunë. Në raportet e fundit të Bankës Botërore, PNUD dhe INSTAT tregojnë se në sajë të reformave të kësaj qeverie, 400 mijë qytetarë nuk janë më të varfër. Në katër vitet e ardhshme nuk do të ketë më njeri që do të jetojë nën minimumin jetik”, - tha Vokshi. Duke qëndruar në këtë temë, kandidati tjetër i PD-së, Ferdinand Xhaferri, tha se shembulli më i mirë i suksesit të qeverisë është vetë, kandidatja e PS-së, Rudina Seseri, e cila humbi vendin e punës në SHBA për shkak të krizës, por erdhi dhe u punësua në Shqipëri. “Zonja në fjalë është shembulli më i mirë i qeverisjes së Partisë Demokratike. Pasi humbi vendin e punës në Amerikë, për shkak të krizës dhe në Shqipëri, gjeti punë edhe për motrën, por edhe për veten në listën e Partisë Socialiste”, - tha Xhaferri. Nga ana e tyre, kandidatë e PS-së akuzuan se qeveria kërkon të ndërtojë një TEC me qymyr në Durrës, por që Albana Vokshi e hodhi poshtë këtë akuzë, duke e cilësuar si një abuzim. Duke folur për këtë çështje, ajo tha se qeveria nuk merr vendime si Bashkia e Tiranës, duke shtuar se “janë politika të qeverisë që bëhen me kujdes të madh dhe nuk bëhen si lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës që jepen pa kritere”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›