Berisha, apel shqiptarëve: Votoni me kartat e identitetit
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, kërkoi dje mirëkuptimin e qytetarëve shqiptarë, që të shkojnë dhe të aplikojnë për kartat e identitetit. Nga Syneji i Kavajës, ku inauguroi ujësjellësin që furnizon me ujë 7 mijë banorë të zonës, u bëri thirrje atyre qytetarëve, që nuk kanë marrë dokumentin e identifikimit, që ta marrin atë si detyrim madhor qytetar ndaj vetes, familjes dhe vendit të tyre. Sipas tij, është një shans i madh që të votojnë në datën 28 qershor me standardin me modern në Evropë, me letërnjoftimet më të reja dhe më moderne në Evropë dhe t’i dëshmojnë vëzhguesve nga e mbare bota se për ne vota është themeli i demokracisë”. Berisha premtoi se në mandatin e dytë do të realizonte premtimet për arritjen e standardeve të një Shqipërie evropiane. “Kudo që të jeni, të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të keni mundësi të gëzoni shërbimet që gëzojnë në qytet. Kjo është Shqipëria evropiane që ne premtojmë”, - theksoi Berisha. Kryeministri shtoi më tej: “Në katër vitet që vijnë do të mbulojmë me subvencion të gjitha sipërfaqet tuaja të mbjella, do të subvencionojmë inputet tuaja, do të subvencionojmë edhe naftën. Kjo do të bëhet mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë. Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ne kemi ndryshuar Shqipërinë, kemi ndryshuar Synejn, por Shqipëria dhe Synej kanë nevojë për ndryshime të tjera akoma edhe më të mëdha, të cilat ne do t’i bëjmë. Syneji, Kavaja dhe Shqipëria kanë nevojë që ju, të dashur qytetarë, të gëzoni ato standarde që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ju kudo që jeni të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të keni mundësi të gëzoni shërbimet që gëzojnë në qytet. Kjo është Shqipëria evropiane që ne premtojmë”.