E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Berat: Boshti i Jugut, kryeprojekti i qeverisë së re



Me sigurinë se Berati do të jetë një metropol i fuqishëm që lidhet me rrugë ultramoderne me Tiranën, me Sarandën e mbarë botën, Berisha vuri në dukje se Boshti i Jugut është kryeprojekti i katër viteve që vijnë. Kryeministri u ndal edhe tek prioritetet e qeverisë për katër vitet e ardhshme, si punësimi, furnizimi me ujë dhe më e rëndësishmja, rritja e pagave e pensioneve

Kryeministri Sali Berisha para mijëra qytetarëve beratas të mbledhur në shesh, zbardhi mbrëmë disa nga prioritet kryesore të qeverisjes së mandatit të dytë për Qarkun e Beratit. Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm boshti i Jugut do të jetë projekti i të gjitha projekteve. Me sigurinë se Berati do të jetë një metropol i fuqishëm që lidhet me rrugë ultramoderne me Tiranën, me Sarandën e mbarë botën, Berisha vuri në dukje se Boshti i Jugut është kryeprojekti i katër viteve që vijnë. Kryeministri Sali Berisha, gjatë hapjes së fushatës elektorale në Qarkun e Beratit iu drejtua banorëve të këtij qyteti si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka aplikuar për anëtar në BE. "Gjatë katër viteve me reforma të thella ia dolëm ta vendosim Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike evropiane për dy vite me radhë, në katër vite ia dolëm të dyfishojmë pensionet dhe të nxjerrim nga varfëria 400 mijë qytetarë shqiptare", - theksoi z. Berisha. Ai u ndal edhe tek prioritetet e qeverisë për katër vitet e ardhshme, si punësimi, furnizimi me ujë dhe më e rëndësishmja, rritja e pagave e pensioneve. "Në katër vitet që vijnë, do të vazhdojmë rritjen e papërmbajtur të pagave dhe pensioneve, derisa ne, së bashku, të dalim para 6 vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi vuajtur mjaft dhe nuk kemi përse të vuajmë më tepër", - nënvizoi Kryeministri Berisha. Ai iu drejtoi një apel qytetarëve beratas për pajisjen me karta identiteti si dëshmi moderne e identitetit të tyre. "I drejtoj një thirrje vëllazërore çdo qytetari të këtij qyteti, që pavarësisht bindjeve politike, të shkoni e të merrni letërnjoftimet e reja, pasi ato janë dëshmitë më modernë të identitetit tuaj. Ju me ato barazoheni me çdo qytetar të kontinentit, që ka sot dëshminë e identiteti më të avancuar", - nënvizoi z. Berisha. Duke iu referuar qëndrimit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, ndaj çështjes së kartave, Kryeministri theksoi se "ai nuk i bëri asnjë thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftime, por bëri aktin tjetër, nuk vuri veten në krye të listës për t'i prirë partisë së tij në garën elektorale, vetëm e vetëm se e ka të sigurt disfatën". Berisha përmendi se në katër vitet që vijnë, Shqipëria ka krijuar të gjitha potencialet edhe për 160 mijë vende të reja pune. Ai pohoi se në datën 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të veprës energjetike më të madhe ujore në Evropë, kaskadën e Devollit dhe përgatitemi për kaskadën e Osumit, të Vjosës dhe qindra hidrocentraleve në vend. Por sipas tij, ky është vetëm njëri front i punësimit. “Parqet industriale dhe nxitja e biznesit është dhe do të mbetet drejtimi ynë themelor. Ndaj jam këtu për t’u zotuar para jush se në qytetin e Beratin dhe në mbarë Shqipërinë, katër vitet që vijnë do të jenë vitet më të lulëzuara për biznesin. Unë ju bëj thirrje qeveritarëve vendorë në mbarë Shqipërinë të mbajnë larg duart nga biznesi i vogël, të mos e taksojnë atë. Për çdo nevojë të vijnë në qeveri. Qeveria, pa asnjë dallim partiak, do të financojë çdo projekt që ata do të hartojnë për të ndryshuar gjendjen e banorëve në qytetet e tyre. Për biznesin, forcën motore të vendit, asnjë qindarkë mbi 10-përqindëshin. 10-përqindëshi është taksa e të gjitha kohërave, të dhjetat është e librave të shenjtë, të dhjetat do të jetë taksa e të gjithë shqiptarëve”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›