E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Berisha e Basha sigurojnë Këshillin e Evropës



Kryeministri Sali Berisha, si dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pritën një delegacion të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i ngarkuar me vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të kryesuar nga Parlamentarja holandeze, Corien Jonker, ku ata garantuar se Shqipëria do të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë takim, Berisha informoi mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime të reja. Kryeministri informoi se sistemi i aplikimit është shfrytëzuar vetëm me një të tretën e kapacitetit ditor që disponon dhe se qeveria shqiptare ka mundësuar plotësisht për të gjithë shtetasit pa pasaporta që të pajisen me letërnjoftim, kundrejt jo më shumë se 200 lekësh, në rast se aplikojnë para zgjedhjeve parlamentare. Si rrjedhojë, kanë aplikuar rreth 1.250.000 shtetas, prej të cilëve rreth 750.000 i kanë marrë tashmë letërnjoftimet, ndërkohë që ritmi i aplikimeve dhe shpërndarjes së dokumenteve vjen gjithnjë në rritje. Kryeministri tha më tej se përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë, që shtetasit të pajisen me letërnjoftim, opozita ka dhënë pa sukses mesazhe shkurajuese që nuk kanë mundur të cenojnë suksesin e procesit dhe shprehu vendosmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve në afatin e tyre kushtetues.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Basha, theksoi se qeveria ka marrë të gjitha masat për infrastrukturën e zgjedhjeve. Ministri bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Basha nënvizoi se hapat e mësipërme janë bërë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›