Pollo në Sinjë: Na besoni edhe mandatin e dytë
Ura e Gorricës drejt fshatit Sinjë do të jetë tashmë e re, falë një investimi prej 2 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ajo do të jetë me gjatësi prej 7.7 km dhe me 2 korsi, që arrijnë së bashku deri në 7 metër. Afati i përfundimit të saj është 8 muaj dhe nga ndërtimi i saj përfitojnë 16 mijë banorë. Kandidati i PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo, u shpreh në fjalën e tij se “Berati i lashtësisë dhe i historisë, do të jetë padyshim edhe Berati i demokracisë, pasi e majta, pas rebelimit të ‘97-ës, e ka zhgënjyer elektoratin e saj, duke e konsideruar atë si xhep të vogël, rezervë të sigurt, por në fakt ka qenë i fundit për nga investimet gjatë qeverisjes së majtë. Ndërsa sot, për Beratin e UNESCO-s, kemi një projekt gjigant në hyrje të qytetit, rruga 2.4 km me vlerë 6 milionë euro, ura mbi Osum pranë Velabishtit, 2 milionë euro, është oguri më i mirë dhe shenja e pamohueshme se Boshti i Jugut, e ka tashmë origjinën”, - u shpreh Pollo. Duke shprehur sigurinë në fitoren e PD-së, Pollo, ftoi edhe zgjedhësit e kësaj zone, të japin votën e tyre për përfundimin e aksionit kombëtar, prej të cilit do të përfitojë edhe Berati.
Basha në Bradashesh: Së shpejti, ujë 24 orë
Bradasheshi do të ketë shumë shpejt ujë të pijshëm 24 orë, sistem të ri kanalizimesh dhe shkollë moderne. Premtimi iu është bërë banorëve të zonës nga kandidati për deputet, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Basha ka theksuar se qeveria, si deri më sot, do të shohë me prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve. "Ujësjellësi i Bradasheshit, me një vlerë prej 1.7 miliard lekësh, për të cilin punimet fillojnë, kanalizimet për ujërat e zeza, asfaltimi dhe ndriçimi me një vlerë prej 2 miliardë lekësh për Katundin e Ri, shkolla 9-vjeçare e Bradasheshit, të cilën do ta bëjmë nga fillimi me një vlerë prej 860 milionë lekësh, 3-katëshe". Basha ripërsëriti edhe në këtë takim premtimin se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, të gjithë qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirisht nëpër Evropë.