E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ-ja ndan çekun për partitë politike

Formula e ndarjes, sipas vendeve në Kuvend

Fondi për fletët e votimit, 3.145.748 lekë

* * * *

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau dje çekun e parave për partitë politike, duke bërë shpërndarjen e fondit publik prej 65 milionë lekësh për ato subjekte që konkurrojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në bazë të formulës së përcaktuar në vendimin e Kuvendit për fondin publik që do t’u shpërndahet partive politike, 50 për qind e shumës prej 65 milionë lekësh do t’u shpërndahet partive politike që janë të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe kanë mandate në Kuvendin aktual. Kurse 50% tjetër ndahet mes subjekteve politike që kanë marrë jo më pak se dy mandate.

Në bazë të kësaj formule, Partia Demokratike ka fituar 13 milionë e 480 mijë lekë, Partia Socialiste merr 10 mln e 100 mijë lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim përfiton 2 mln 650 mijë lekë e kështu me radhë. Ndërkaq, 50-përqindëshi tjetër do të ndahet mes subjekteve politike që janë të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit, por që në Kuvendin aktual kanë jo më pak se dy vende. Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dhe sasinë e fletëve të votimit, që do të jetë 3 milionë e 145 mijë e 748, të cilat do të prodhohen për zgjedhjet politike të 28 qershorit, përkundrejt numrit zyrtar të votuesve prej 3 milionë e 84 mijë e 67 personash të përfshirë në listat zgjedhore. Dispozitat e Kodit Elektoral, që bëjnë fjalë për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimin e materialeve zgjedhore, përcaktojnë që sasia e fletëve të votimit është e barabartë me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2 për qind. Sasia e shpërndarjes së dokumentit të votimit në qendrat e votimit bëhet në përputhje me numrin e zgjedhësve që ka çdo Qendër Votimi. Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin është 4812, ku Tirana ka numrin më të madh të tyre me rreth 824 Qendra Votimi, e ndjekur nga Elbasani, Fieri etj.

Instalimi, Ristani: Kamerat tona, stop kontestimeve

Shqiptarët do të lexojnë ashtu siç e hedhin votën e 28 qershorit, duke marrë fund kontestimi nga partitë politike për rezultatin final të zgjedhjeve. Këtë e mundëson instalimi i kamerave në të gjitha qendrat e numërimit të votave. Plot 1 milion e gjysmë euro ka kushtuar infrastruktura teknologjike që do të mundësojë vëzhgimin në kohë reale të numërimit të çdo flete votimi. Kamerat e vendosura në 66 vendet e numërimit të votave në të gjithë Shqipërinë, do të përcjellin në KQZ rezultatin edhe para se ai të shpallet. Është KQZ-ja që merr në kontroll të gjithë procesin e numërimit, pikërisht përmes kamerave të instaluara. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, pohoi: "Kjo pamje që ju shihni këtu, do të vijë online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga KQZ-ja do të kemi mundësinë të mbajmë në kontroll të 66 vendet ku do të numërohen votat, në mënyrë që të sigurojmë një transparencë maksimale, të bëjmë të mundur marrjen në kohë të rezultateve nga të 66 vendet e numërimit të votave”. “Nga ana tjetër, - shtoi Ristani, - ka vend të mjaftueshëm për vëzhguesit, të cilët do të mund të ndjekin nëpërmjet ekranit mënyrën se si është votuar në secilën fletë votimi. Në çdo pikë të numërimit të votave, kamerat do të jenë të instaluara në të pesë tavolinat e numërimit. Rrezet infra të kuqe do të mundësojnë shikueshmërinë e fletës së votimit edhe në rast mungese ndriçimi. Gjithashtu, invertërat do të garantojnë sinjalin e internetit dhe për 3 orë të tjera në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike. Përveçse në Tiranë, aktualisht, infrastruktura është montuar në Elbasan dhe Librazhd”. Ristani bëri të ditur se, maksimumi, një javë para ditës së zgjedhjeve, do të jetë e montuar e gjithë teknologjia në të gjithë Shqipërinë dhe java e fundit do të jetë një javë që do të mund ta testojmë për të qenë gati ditën e zgjedhjeve.

KQZ: Për të verbrit, mjet për të lexuar fletën e votimit

Një mjet i posaçëm votimi që do të mundësojë zgjedhësit e verbër të lexojnë fletën e votimit ditën e 28 qershorit. Ky është vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme të KQZ-së ku, nisur nga praktika e zgjedhjeve të vitit 2005, mjeti ka formën dhe përmbajtjen e fletës së votimit, por me alfabetin e përshtatshëm për personat e verbër. Me qëllim realizimin e këtij procesi çdo QV duhet të pajiset me një mjet të tillë. Vendimi i djeshëm i KQZ-së parashikon blerjen e rreth 5000 mjeteve të posaçme, që do të përdoren nga votuesit e verbër. Kodi zgjedhor në nenin 108, pika 8, parashikon detyrimin e KQZ-së për të pajisur Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) me mjete të posaçme votimi që do të lejonin zgjedhësit e verbër që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›