E Diel, 1 Nëntor 2026

Albana Vokshi: Për çdo leje ndërtimi Edi Rama merr 20 % të vlerës së investimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi i kundërpërgjigjet valës së akuzave të kryetarit të socialistëve dhe njëherazi të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke zbardhur fakte për këtë të fundit se në këmbim të lëshimit të lejes së ndërtimit detyron kompanitë t’i paguajnë atij 20% të investimit. Në vijim të reagimit publik dhe bërjes transparente të çdo dokumenti të keqpërdorur nga eksponentët e Ramës në PS, për të hedhur akuza në drejtim të deputetes Vokshi, kjo e fundit i bën thirrje kryesocialistit të bëjë deklarimin real të pasurisë si dhe të japë përgjigje për çdo 20%-sh që ka gllabëruar në mënyrë antiligjore.


Deklarata


I ashtuquajturi “bashkëbisedim” i tij me gazetarët vërtetoi edhe një herë dje që Edvin Kristaq Rama është në dëshpërimin e madh të një dështuari absolut si në jetën private ashtu edhe si politikan. I shqetësuar nga bumi turistik i muajve të fundit, ai u bë qesharak edhe me ato që fliste e që s’i kuptonte as vetë, për rritje ekonomike pa rritje ekonomike apo për borxhe publike mbi 100%, për rënie të të ardhurave tatimore kur e vërteta, e pranuar nga të gjithë organizmat e specializuar ndërkombëtarë është krejt ndryshe. Dhe sigurisht, nuk harroi të bëjë edhe kërcënimin publik që unë të hesht. Edvin Rama, edhe një herë, po përpiqet që të përbaltë dhe të dhunojë moralisht dhe psikologjikisht e publikisht një femër. Por unë, zoti Rama, s’do të lejoj kurrë që kompleksi juaj ndaj grave, e që s’njeh limite, të shkelë personalitetin dhe dinjitetin tim. Jam sot këtu para jush, për ta ftuar z. Rama që të çojë në Prokurori të gjitha faktet që ai thotë që posedon në lidhje me akuzat që më ka bërë javët e fundit. Ka një muaj që flet dhe nuk ka thënë dhe denoncuar asnjë fakt konkret. Jam këtu para jush, për t’i kërkuar z. Rama të përgjigjet për ato qindra dosje denoncimi në emër të tij që janë prej kohësh në sirtarët e Prokurorisë. Jam sot këtu para jush, për të denoncuar me fakte dhe dokumente korrupsionin galopant të Kryetarit të bashkisë, Edvin Kristaq Rama. Kam këtu dokumentin, ku kompania Vizion Construction, është detyruar të fusë aksioner me 20% mikun e Edvin Ramës, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, në këmbim të dhënies së lejes së ndërtimit kësaj kompanie. Dhe ky 20% vlen jo më pak se 100 milionë EURO. Mendoni vetëm për një çast sa leje ndërtimi ka dhënë Edvin Kristaq Rama në tre mandatet e tij si Kryetar Bashkie? Sa 20% ka marrë nga këto leje ndërtimi që bëjnë një pasuri të tërë prej qindra milionë dollarësh, e padeklaruar prej tij! Z.Rama pse hesht në lidhje me akuzën për lidhjet e tua me Dritan Avllajn? Pse nuk sqaron publikisht çfarë interesash të lidhin me këtë person dhe sa 20% ke përfituar nën emër të tij? Ky, është vetëm dokumenti i parë, në ditët në vijim, do të dëshmoj fakte të tjera REALE për aferat e paimagjinueshme korruptive të Edvin Kristaq Ramës, të personave që me të e lidhin interesa marramendëse financiare si dhe për të tërë papagallët e tij që kanë folur për më shumë se tre javësh duke shpifur e trilluar për mua. Topat e baltës të drejtuar ndaj meje dhe familjes sime do bien mbi Ju Z. Rama!!!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›