Berisha: Shqipëria ndër vendet më të mira në botë për të jetuar, falë investimeve dhe zhvillimit të biznesit

Kryeministri inauguron në Korçë njërin prej segmenteve më të rëndësishme të unazës veriore të qytetit të Korçës, segmentin varrezat e Qytetit – Kryqëzimi Erseke, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 136.978.670 lekë
Kryeministri Sali Berisha komenton artikujt e shtypit botëror, konkretisht të revistës amerikane “Newsweek”, e cila e klasifikon Shqipërinë ndër vendet më të mira në botë për të jetuar. Kreu i qeverisë u shpreh se nga 200 vende të planetit, Shqipëria jo vetëm renditet në 100 vendet më të mira për të jetuar, por pozicionohet në vendin e 57. Ky klasifikim tha Berisha, ka ardhur për shkak të investimeve të shumta që ka bërë qeveria në sektorë të ndryshëm dhe konkretisht në favorizimin e biznesit.
Këto komente Berisha i bëri nga Korça ku inauguroi njërin prej segmenteve më të rëndësishëm të unazës së këtij qyteti.
“Korça dhe Shqipëria, nuk do të mund të ishin një vend ku mund të jetohet më mirë në rast se ne nuk do të krijonim klimën e biznesit që krijuam dhe vendin e investimeve të ndaluara 15 vjet më parë e shndërruam në një nga vendet më tërheqëse për investime në Evrope dhe në Botë. Gjithçka është bërë në këtë vend , është bërë me mund të madh me sakrifica”- tha kryeministri.
Kreu i qeverisë premtoi që investimet e qeverisë si në Korçë dhe në mbarë vendin do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, duke e bërë Shqipërinë një vend të frekuentuar nga turistët e shumtë, si në bregdet ashtu edhe në zonat malore, të cilat janë po aq të bukura dhe me potenciale sa dhe bregu.