E Diel, 1 Nëntor 2026

Albanologët bëjnë bilancin në Tiranë

Indoevropianisti Eric Hamp, historiani Noel Malcolm, Francesco Altimari (studiuesi i //////////////mattë gjatë me arbëreshët), Robert Elsie, historiani Bernd Fischer, studiuesi Mateo Mandala etj., janë disa nga emrat më të njohur, ende në jetë, që janë marrë me studimet albanologjike. Të gjithë do të vijnë të flasin në Tiranë. Një takim ndërkombëtar i albanologëve mbyll të ashtuquajturin vit të përvjetorëve të mëdhenj. Aktivitetet për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetorit të lindjes së Eqrem Çabejit do të përmbyllen në një konferencë shkencore treditore të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Do të jetë pak a shumë një bilanc i veprave më të mira albanologjike botuar 5 vitet e fundit. Një referatë mbi Kongresin e Manastirit dhe një tjetër për aktualitetin e veprës së Eqrem Çabejit do të çelin konferencën shkencore. Ndërsa autorë dhe referues të veprave të tyre do të prekin zhvillimet më të fundit në gjuhësi, histori, antropologji, arkeologji e fusha të tjera të lidhura me këto shkenca. Në datat 18, 19 dhe 20 dhjetor albanologët takohen në hotel "Tirana Internacional". "Organizimi i këtij simpoziumi nisi nga ideja për të bërë një bilanc të realizimeve në fushën e albanologjisë gjatë 5 viteve të fundit. U mendua që të përzgjidhen një sasi e caktuar veprash, të cilat shërbejnë si referencë për studimet albanologjike. Autorët e tyre do të jenë në qendër të vëmendjes dhe të gjithë janë të ftuar për të paraqitur jo vetëm argumente mbi botimet e tyre, por edhe për teza apo përfundime të reja që u ka dalë gjatë kërkimeve e hulumtimeve të tyre shkencore", shprehet Ardian Marashi, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve vijnë nga institucionet kërkimore e nga universitetet shqiptare, duke u zgjeruar më tej me studiues nga institucione të tjera kërkimore, shkencore e universitare nga Kosova, Maqedonia, apo edhe qendrat e albanologjisë në Perëndim. "Përzgjedhja është bërë në tri nivele, me tri komisione, ku bazën kryesore e kanë pasur këshillat shkencore të instituteve dhe në fund Këshilli i Profesorëve në Qendrën Albanologjike", shprehet Marashi. Sipas tij, janë përzgjedhur ato botime që pranohen si vlera të qëndrueshme të studimeve albanologjike, ndonëse thekson se ka qenë proces i vështirë, gjatë të cilit kanë qenë të detyruar të lënë jashtë disa botime serioze. "Çdo zgjedhje ka një limit. Ky është një simpozium shkencor ndërkombëtar dhe gjithçka varet nga mundësitë e organizimit. Gjithsesi, në përmasat që është menduar, e konsiderojmë si një shkëmbim përvojash, praktikash, përvojash e metodash të punës kërkimore shkencore. Për më tepër synojmë një ndërveprim dinamik mes historianëve, gjuhëtarëve, arkeologëve etj.", thekson Marashi. Duke folur për një domosdoshmëri të kthimit në traditë të një konference të tillë shkencore, Marashi vë në dukje se këto zhvillime duhet të jenë në vëmendje të kulturës shqiptare, pasi këto botime nuk synojnë vetëm komunitetin e studiuesve, por edhe një publik më të gjerë. Duke pasur parasysh kohën që duan këto botime studimore për t‘u realizuar, por edhe për të pasur impakt te lexuesit, Marashi shprehet se do të synohet që kjo konferencë shkencore të realizohet çdo 3 apo 5 vjet. Në këtë vit të parë, në përfundim të takimit është menduar edhe vlerësimi me çmime i veprave më të mira. Një çmim do të shkojë për veprën më të mirë studimore me autor shqiptar, një për veprën më të realizuar të një autori të huaj që ka pasur impakt te studiuesit dhe publiku e çmimi tjetër për veprën më të realizuar me një grup autorësh. Të tria çmimet do të shoqërohet me një statuetë të larë në flori dhe një shumë prej 3 mijë euro. Por, veprat më të mira nuk do të zgjidhen nga komisionet. Ato do të votohen nga autorët dhe referuesit pjesëmarrës në këtë konferencë shkencore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›