E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zhdukja" e orës së Bushit, përse do ta bëj film artistik

Ai është pjesë e aktorëve në filmin serbo-shqiptar "Muaj Mjalti". Regjisori serb, Goran Paskaljeviç, e ka përzgjedhur të interpretojë rolin e një inspektori policie. Mimmo Mongelli e vlerëson pjesëmarrjen në këtë film, por përtej tij, ai e vlerëson bashkëpunimin serbo-shqiptar jo vetëm nga këndvështrimi kinematografik, por edhe nga ai politik. "Një bashkëprodhim serbo-shqiptar është një ngjarje për mbarë botën!", shprehet regjisori, skenaristi dhe aktori italian Mongelli. Paskaljeviç tashmë ka nisur xhirimet në Itali për "Muaj Mjalti". Mediat italiane bëjnë të ditur se xhirimet e filmit do të përfundojnë në vitin 2009. Menjëherë pas kësaj, ai do të konkurrojë për të qenë pjesë e Festivalit të Kanës. Bashkëpunimi me artistë shqiptarë nuk është i pari për të. "Watch" është një film me metrazh të shkurtër, të cilin Mongelli e ka realizuar në Shqipëri me aktorë shqiptarë, mes tyre edhe Timo Flloko. Filmi është historia e kryqëzuar e dy fateve: ai i jetës së një vajze shqiptare dhe nderi e krenaria e një populli, e cila vihet në ///////////diskutim prej zhdukjes së orës "Timex" të Presidentit amerikan Xhorxh Bush gjatë vizitës në Shqipëri, në qershorin e vitit 2007. Në po të njëjtën ditë, tregon në filmin e tij Mongelli, një burrë i duhet të përballet me një problem të rëndë: vajza e tij mund të vdesë nëse nuk dërgohet në Itali. Kura është e shtrenjtë, por fati i ofron një mundësi... I diplomuar në akademinë kombëtare të artit dramatik "Silvio D‘Amico" në Romë, përvoja fillestare e Mongelli-t ka nisur me teatrin. Ai ka realizuar disa spektakle të këtij lloji, me të cilat ka shëtitur jo vetëm nëpër Itali, por edhe jashtë saj. Më vonë, Mimmo Mongelli i kushtohet kinemasë, fillimisht si skenarist filmash. Ka realizuar filmin me metrazh të gjatë "La casa delle donne" ("Shtëpia e grave"), i cili është vlerësuar si "Filmi më i mirë me interes kulturor kombëtar" nga Ministria Italiane e Kulturës. "Watch!" është filmi i tij më i ri, të cilin dëshiron ta kthejë shumë shpejt në një film me metrazh të gjatë.

Mimmo, jeni kthyer në Shqipëri sepse keni një rol në filmin "Muaj Mjalti" të regjisorit serb Goran Paskaljeviç. Cili është personazhi juaj në këtë bashkëpunim shqiptaro-serb?
Në film luaj rolin e një inspektori policie, shumë i lodhur prej punës së kotë që bëj në kufi. Aty jam i detyruar të ndaloj emigrantë, të cilët shpesh nuk kanë asnjë faj përveç faktit se janë në kërkim të një jete më të mirë, në kërkim të një jete të re.
Si ndiheni në këtë bashkëpunim?
Shumë mirë. E vlerësoj regjisorin Paskaljeviç. Ndihem mirë edhe sepse kam shumë miqësi edhe me producentët shqiptarë.
Çfarë mendoni për filmin "Muaj Mjalti", i cili tashmë ka nisur xhirimet në Itali?
Kam vetëm një njohje të pjesshme të tij, por më duket se është një ndërmarrje e niveleve ndërkombëtare, jo vetëm nga këndvështrimi kinematografik, por edhe nga ai politik: një bashkëprodhim serbo-shqiptar është një ngjarje për mbarë botën!
A e njihni kinematografinë shqiptare? Nëse po, cili është mendimi juaj për të?
E njoh kinematografinë shqiptare dhe mendoj se është mjaft aktive. Ka regjisorë shumë të mirë e aktorë po aq të mirë... Megjithatë, duhet të emancipohet me temat që zhvillon. Nuk duhet të flasë vetëm për Shqipërinë e së djeshmes. Ajo duhet të ndërkombëtarizohet në tematikat që zgjedh, e ndoshta është më mirë që të lërë të huajt të rrëfejnë për Shqipërinë, kjo sepse ata i zhvillojnë këto tema duke i parë me një sy ndryshe, janë më të shkëputur, më pak emotivë, më pak të përfshirë e në këtë kuptim i vlerësojnë ato me një sy kritik.
Folët për kinematografinë shqiptare, por si e shihni ju atë italiane?
Duke lënë mënjanë raste të rralla, siç janë Tornatore dhe Garrone, mbi të gjitha, mendoj se kinematografia italiane është mbyllur në vetvete, shpesh ajo i drejtohet vetëm interesave të shitjeve, është larg vëmendjes së tematikave.
"Watch", pse ky film? Si lindi ideja për realizimin e tij?
Ideja lindi duke u bazuar në temën e patriotizmit që ndonjëherë kthehet në nacionalizëm, pra që merr ngjyrim negativ. Të atij koncepti që arrin deri aty sa verbon atë që e mbron kaq fort. Ndodhi që kur Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, erdhi në Shqipëri, ngjarja e orës së tij të humbur për gati dy ditë me radhë u kthye në një stuhi diskutimi jo vetëm për botën ballkanike, por edhe më gjerë. Në këtë debat të madh, pati nga ata që ishin pro dhe kundër popullit shqiptar. Me pak fjalë, një "scoop" gazetaresk që u transformua në një çështje ndërkombëtare. E gjithë kjo histori ishte si ato kafshatat e helmuara të atyre manipuluesve që nxitin njerëzit drejt këtyre situatave për të mënjanuar në këtë mënyrë problemet e vërteta. Nga ky vëzhgim lindi "Watch".
A ka një mesazh konkret që dëshironi të thoni nëpërmjet këtij filmi?
Po. Dua të them se dinjiteti i një populli dhe i individëve mbrohet para së gjithash duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe vetëm pasi të jenë plotësuar ato, mund të afirmohen "principet e mëdha" kolektive, të cilat nëse nuk plotësohen ato të mëparshmet janë vetë një paradë boshe e retorike.
Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje kur mësuat për orën e humbur të Presidentit amerikan?
Mendova: "Ta hajë dreqi! Të zotë këta shqiptarët!". Por mendimi i dytë ishte: "Përse duhet ta zgjatin kaq shumë me këtë histori, vetëm se një idiot e gjykon një popull duke u bazuar mbi veprimin e një individi të vetëm?". Dhe mendimi i tretë, kur u mësua se ora nuk ishte vjedhur, ishte: "Bota është e mbushur me budallenj!"
Historinë e orës së humbur të Presidentit Bush ju e gërshetoni edhe me atë të një njeriu i cili jeton në kushte minimale. Atij i duhet të zgjidhë një problem shumë të rëndë. Vajza e tij mund të vdesë nëse nuk e dërgojnë në Itali për t‘u kuruar, por shpenzimet janë të papërballueshme... Çfarë ndodh me këtë familje?
Ky burrë, në të njëjtën ditë kur Bushi humbet orën, gjen një tjetër orë dhe pas tentativave të kota për t‘ia kthyer atë pronarit, vendos ta shesë. Por nuk ia arrin ta bëjë këtë menjëherë. Ai është i detyruar të përballet me prova të shumta të cilat e tronditin. Vetëm kur mësohet se ora "e tij" nuk është ajo e Presidentit Bush, atëherë atij i jepet mundësia për ta shitur orën e gjetur. Në këtë mënyrë, gjen rrugën e shpëtimit për të bijën, por një tjetër provë edhe më e vështirë e pret.
Përse keni zgjedhur të bëni këtë kryqëzim situatash?
Sepse doja të vendosja përballë njëra-tjetrës historinë me "H" të madhe të personazheve që i quajmë të rëndësishëm dhe atë me "h" të vogël që është historia e njerëzve të zakonshëm, problemet e së cilëve gjithnjë injorohen, ndërsa në të vërtetë janë këto problemet e rëndësishme që meritojnë dhe duhet të jenë në vëmendjen e të gjithëve.
A keni në plan të bëni një film me metrazh të gjatë bazuar në historinë e "Watch"?
Po. Shpresoj që shumë shpejt të arrij të krijoj lidhjet për një bashkëprodhim ndërkombëtar për të vazhduar më tej me projektin për të realizuar një film me metrazh të gjatë, i cili të përfshijë si pjesë të vetën edhe historinë e orës.
Për këtë film, ju keni punuar me aktorë shqiptarë, mes tyre edhe Timo Flloko. Cili është mendimi juaj për këta aktorë?
Mendoj se janë shumë të zotët, janë shumë punëtorë, me shpirt të madh.
Mimmo, jeni regjisor, skenarist, por edhe aktor... Ku ndiheni më mirë?
Ndihem mirë si regjisor, por edhe si skenarist. Aktorin e bëj për t‘u argëtuar ose është e nevojshme ta bëj.
A keni projekte të tjera këtu në Shqipëri, por edhe më gjerë?
Kam shumë projekte për sa i përket Shqipërisë, si autor, por edhe si producent. Shqipëria është një vend që më tërheq shumë, me kontradikta magjepsëse, me një potencial të madh. Më pëlqen vendi juaj dhe punoj mirë këtu. Në Shqipëri, kam shumë miq, ndoshta më shumë se në Itali. Çfarë mund të dua më shumë?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›