Dy gola në shtesë, Besa zhyt Vllazninë në kaos
Leonard Karaj
Dy fitore transferte. Besa dhe Apolonia kanë marrë tri pikë të rëndësishme në përballjet e djeshme në Shkodër dhe Durrës. Mbyll sot javën e 12-të, Flamurtari-Tirana.
Një thriller i vërtetë në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Besa e Shpëtim Duros përmbys gjithçka në vetëm 2 minuta. Teksa arbitri i 4-t sinjalizonte minutat shtesë vendasit kryesonin 2-1 por në vetëm 2 minuta lojë, Cikalleshi (93’) dhe Leci (95’) sigluan fitoren më të bukur të Besës gjatë këtij sezoni dhe humbjen më të hidhur të shkodranëve në 12 javë kampionat. Daniel Xhafaj shënoi për Besën i pari, pa kaluar 35 sekonda lojë, duke realizuar golin më të shpejtë gjatë këtij sezoni. Me pjesën e parë të mbyllur në avantazhin e kavajasve, trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, bëri tri zëvendësime gjatë pjesës së dytë, të cilat ndryshuan edhe ritmin e lojës së shkodranëve. Në minutën e 56-të, Bekim Bala dha një asist për Viroresin Sinani, dhe golashënuesi më i mirë historik i Vllaznisë, nuk e pati vështirë të shtynte topin në rrjetën e Orges Shehit. Bekim Bala kaloi në avantazh Vllaznisë në minutën e 75-të, duke dhënë përshtypjen se 9-herë kampionët e Shqipërisë do të shijonin fitoren e katërt sezonale. Pikërisht fundi i takimit është një histori e tëra për tu shkruar. Sokol Cikalleshi barazoi shifrat në 2-2 në të 93’ dhe Liridon Leci pak sekonda më pas vulosi rezultatin përfundimtar në 2-3. Kjo ishte fitorja e 38-të e Besës në 129 përballje historike me Vllazninë (59 fitore, 32 barazime). Fitore në transfertë realizoi edhe Apolonia e cila mundi Teutën në “Niko Dovana” me një fitore të pastër 0-2, falë golave të realizuar në pjesën e dytë nga Mlladen Bërkiç (57’) dhe Albert Kaçi (69’). Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e Apolonisë me Teutën, pasi dhe në Fier fituan po 2-0 në javën e parë të kampionatit. Apolonia ruajti hapin e kryesuesve, pasi dhe Dinamo e Besa fituan respektivisht me Kastriotin (2-0) dhe Vllazninë (3-2). Kjo ishte fitorja e 27-të e Apolonisë në 65 ndeshje historike me Teutën (23 fitore, 15 barazime).
Kontestimi i tifozëve: Fushaj IK
Në fillimin e pjesës së parë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, tifozët shkodranë shpalosën një banderolë të madhe ku kishin shkruar: “Zgjohuni”. Por lojtarët kuqeblu duket se nuk e kanë përvetësuar mirë mesazhin, kjo për faktin se kuqeblutë u ndëshkuan që në sekondat e para të ndeshjes. Me pësimin e golit të parë gjatë 45-minutave të para, zemërimi i tifozëve u shtua edhe më shumë duke iu kundërvënë presidencës së klubit me thirrjet: Fushaj IK! Kjo gjë u shtua edhe më shumë kur skuadra në sekondat e fundit ç’bëri gjithçka të mirë që kishte realizuar në pjesën e dytë.
Magani optimist: Të mundim Tiranën
Trajneri i Flamurtarit të Vlorës beson në një fitore të skuadrës së tij ndaj Tiranës. Sipas tij skuadra është përgatitur mirë dhe ky është rasti ideal për të ngritur moralin. “Mbi të gjitha na duhet një fitore në këtë kohë e cila do të sillte rritje të besimit te lojtarët. Kam besim se lojtarët do të demostrojnë në fushën e lojës një lojë të bukur. Të gjithë duhet ta kemi të qartë se synimi i vetëm për kuqezinjtë në sfidën me Tiranën është fitorja dhe kjo të jetë e qartë. Më e rëndësishmja është që lojtarët duhet të tregohen më të kujdesshëm se kanë të bëjnë me një ekip, i cili nuk fal në fushën e lojës”, ka pohuar Magani.
Kategoria 1, Pogradeci–Bilishti 0-0
Pogradeci dhe Bilishti ndanë nga një pikë në barazimin pa gola, në takimin përmbyllës së javës së 12-të të Kategorisë së Parë, ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Me pikën e marrë, Pogradeci u ngjit në kuotën 22 pikëve, duke u ngjitur ne vendin e katërt, me një pikë më shumë se Ada e Kamza, që ndajnë bashkërisht vendin e pestë dhe të gjashtë. Por për pogradecarët pika e marrë nuk ka kënaqur pasi skuadra pas lojërave të bukura në javët e para të kampionatit kërkon medoemos ngjitjen mes më të mirave për sezonin e ri. Ndërkohë Bilishti me barazimin e djeshëm u ngjit në kuotën e 14 pikëve.